Mbrojtësi i talentuar Etnik Brruti ka vendosur të përfaqësojë Kombëtaren e Shqipërisë, duke lënë anash opsionin për të luajtur me Kosovën. Ky vendim ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin sportiv në Kosovë, ku një pjesë e madhe e tifozëve dhe analistëve e shohin këtë si një tradhti ndaj përfaqësueses dardane.
Gazetari sportiv Lorik Gashi, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka drejtuar kritika të forta ndaj menaxherit të Brrutit, Eros Grezda, duke e akuzuar se ka përdorur lidhjet e tij me Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) për të bindur lojtarin të bashkohet me kuqezinjtë.
“Turp për Erosin, turp për të gjithë menaxherët që punojnë për të keqen e Kombëtares së Kosovës,” ka shkruar Gashi, duke shtuar se nuk duhet të ketë ndërhyrje të tilla te futbollistët e Kosovës.
Megjithatë, ky nuk është rasti i parë që një lojtar me origjinë nga Kosova zgjedh të përfaqësojë Shqipërinë. Kjo temë ka ndezur debat të madh ndër vite, me ndarje mendimesh nëse duhet të shihet si tradhti apo si një zgjedhje personale e lojtarëve.
Pavarësisht kësaj, Gashi thekson se Kosova do të vazhdojë përpara edhe pa Brrutin dhe lojtarë të tjerë që zgjedhin rrugë të ndryshme. “E përjetshme është Kosova!” përfundon ai.



