Kompania Rajonale e Mbeturinave PASTRIMI SH.A. ka njoftuar se ka ndërprerë ofrimin e shërbimit të grumbullimit të mbeturinave në territorin e Komunës së Prishtinës, për shkak të mospagesës së borxhit nga kjo e fundit.
Sipas njoftimit, borxhi i akumuluar nga Komuna e Prishtinës ndaj kompanisë arrin shumën prej 2.7 milionë euro. Pavarësisht kërkesave dhe paralajmërimeve të vazhdueshme, komuna nuk ka përmbushur obligimet financiare për më shumë se pesë muaj, duke e vështirësuar funksionimin operativ të kompanisë.
“Mosrealizimi i pagesave na ka pamundësuar mbulimin e kostove dhe ofrimin normal të shërbimeve”, thuhet në komunikatë.
PASTRIMI SH.A. i ka bërë thirrje Komunës së Prishtinës që të shlyejë urgjentisht detyrimet dhe të rivendosë bashkëpunimin institucional, në mënyrë që të garantohen shërbimet bazike për qytetarët e kryeqytetit./Raporto24