Nga 14 raste me COVID-19 më 26 korrik, në 888 raste me 11 gusht. Situata epidemiologjike në Kosovë po përkeqësohet.
Masat kundër përhapjes së COVID-19 në masë të madhe nuk po respektohen dhe sjellja e qytetarëve ndaj pandemisë është pothujse shpërfillëse.
Maskat dhe distanca fizike tashmë janë harruar.
Institucionet ende nuk tregojnë nëse, apo kur, do të vendosën masa shtesë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i tha Radios Evropa e Lirë se “po zhvillohet takime të vazhdueshme me ekspertë shëndetësorë për të marrë rekomandimet e tyre konform situatës epidemiologjike dhe trendit të vaksinimit”.
Në vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin e luftimin dhe parandalimin e COVID-19, të datës 14 korrik, thuhet se bartja e maskës, duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative në të gjitha rastet përveç: gjatë ecjes vetëm në ambient të jashtëm, gjatë ngasjes së automjetit, vetëm apo në grup me jo më shumë se katër persona, gjatë ushtrimeve fizike dhe gjatë ngrënies ose pirjes.
Vendimi obligon përgjegjësit e institucioneve publike dhe private që në hyrje të objekteve të vendosin shenjat e ndalesës për hyrje të personave pa maska mbrojtëse.
Por, ka ngecje në kontrollin e respektimit të kësaj mase dhe të tjerave që parashihen me këtë vendim.
Në raportin e Policisë së Kosovës për ditën e martë (10 gusht) thuhet se janë shqiptuar 5 gjoba në bazë të ligjit anti-COVID.
Krahas Policisë së Kosovës, gjatë pandemisë, edhe një institucion tjetër ka kryer inspektime të respektimit të masave kundër pandemisë. Ajo është Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës. Por, kjo agjenci gjatë javëve të fundit nuk ka kryer inspektime për shkak të mungesës së inspektorëve.
Zëdhënësi, Lamir Thaçi, i tha Radios Evropa e Lirë, se kontrollet nga ana e kësaj agjencie nuk janë bërë që nga përfundimi i kontratave të inspektoreve shtesë të cilët gjatë pandemisë ishin angazhuar nga Ministria e Shëndetësisë.
“Ne thjeshtë nuk kemi pasur kapacitete për mbikqyrjen e zbatimit të masave”, tha Thaçi.
Sipas tij, kontratat për grupin e parë prej 75 inspektorëve shtesë kanë përfunduar në muajin qershor, ndërsa për grupin tjetër prej 20 inspektorësh kanë përfunduar në muajin korrik.
Ministria e Shëndetësisë në Kosovë në një përgjigje për REL thotë se këta inspektorë kanë qenë me kontrata të afatizuara, dhe se ato janë përmbushur.
“Nëse do të ketë rekrutime të reja apo jo, kjo do të varet nga zhvillimi i situatës epidemiologjike, kërkesave të argumentuara nga institucionet mbikëqyrëse dhe nga buxheti në dispozicion”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.