No menu items!

Abdixhiku: Praktikantët në aksion, tragjedi njerëzore dhe varfërim ekonomik

Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në facebook, ka reaguar lidhur me situatën që ka shkaktuar varianti Delta i Covid-19. I pari i LDK’së, ekzekutivin e quajti praktikant që kanë shkaktuar tragjedi njerëzore dhe varfërim ekonomik.

Abdixhiku gjithashtu tha se si rezultat i punës së qeverisë, sot kemi jetë të humbura, por edhe mbyllje.

“Kur s’menaxhon, nuk inspekton, nuk kontrollon, përfundon në ekstreme. Edhe jetë të humbura edhe mbyllje. Edhe tragjedi njerëzore edhe varfërim ekonomik. Pra, alternativë të mirë më nuk ka”, ka shkruar Abdixhiku.

Tutje, ai tha se “praktikantët tanë, punë kanë, por të tjera janë ato”. Gjithashtu ai përmendi edhe rastin e minsitres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut e cila protestoi ndaj vetes.

“Disa protestojnë ndaj vetes – merreni me mend…”, ka shkruar Abdixhiku.

Kreu i LDK’së përmendi edhe rastin e Donika Gërvallës e cila në momentin më të keq të Kosovës në luftë me pandeminë, tha se ia heq kapelën ministrit Vitia.

“…të tjerët heqin kapela në rekorded e zeza në vend”, shkroi Abdixhiku.

Krejt në fund, Lumir Abdixhiku, bëri thirrje që qytetarët e këtij vendi të vaksinohen në mënyrë që të parandalojnë ballafaqimin me Covid-19.

Kosova mbetet vendi me më së shumti raste të reja të infektimit dhe vdekje nga Covid-19 në Ballkan.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë nga Abdixhiku:

Edhe tragjedi njerëzore edhe varfërim ekonomik.

Praktikantët në aksion!

Plot 77 vdekje në 5 ditë si rezultat i menaxhimit inekzistent pandemik. Kosova sot është e renditur në 5 vendet e fundit në botë për nga numri i të infektuarve për banorë. SHBA ka kthyer tashmë vendin tonë në vend me rrezikshmëri të lartë. Të njëjtat hapa pritet t’i marrë edhe Bashkimi Evropian. Si masë, natyrisht, vjen mbyllja; e me të dhe gjithë kostot ekonomike pas. Kur s’menaxhon, nuk inspekton, nuk kontrollon, përfundon në ekstreme. Edhe jetë të humbura edhe mbyllje. Edhe tragjedi njerëzore edhe varfërim ekonomik. Pra, alternativë të mirë më nuk ka.

Vendet e rajonit, ndërsa, vazhdojnë jetën e tyre në hapje. Ato ecin para sepse kanë përgjegjshmëri shtetërore. Kanë kontrolle të jashtëzakonshme, inspektime të rregullta, qendra vaksinuese mobile, masa stimuluese e ndëshkuese, kanë shtet që bën punë! Shteti ynë se bën asnjë nga këto.

Praktikantët tanë, punë kanë, por të tjera janë ato. Disa protestojnë ndaj vetes – merreni me mend – të tjerët heqin kapela në rekorded e zeza në vend; ca punë konsiderojnë edhe numrin e telefonatave që njëri i bën; e ai kryesori ka vendosur t’u ndajë infermierëve pak lëmoshë; se për t’i parë e mbështetur as që bëhet fjalë.

Kosova në rënie të lirë sepse pushtetarët tanë ditën që morën pushtet harruan për çfarë janë. 14 shkurtin e morën si festë e si fund, e si garancë që çkado që bëjnë – edhe kur s’bëjnë gjë – nuk ka rëndësi. Po e shohin veten të paprekshëm, prandaj dhe sillen kështu. Kjo arrogancë natyrisht se do të merr edhe përgjigjen e vet – populli sheh – po ç’na duhet kjo përgjigje kur 77 tragjedi familjare i kemi pa mbyllur javën ende.

Qytetarë, vaksinohuni dhe mbrohuni. Nga shteti mos prisni gjë – janë në delir vetëlavdate e mohim krize edhe në kohë morti mbarë nacional. Spitalet janë të mbushura përplot. Mjekët i kemi të lodhur e stërngarkuar, të ofenduar me lëmoshë e të pakët në numër pasi i larguan 575 punonjës shëndetësorë – po këta.

Na duhet një reagim kolektiv për ta përmbysur këtë keqmenaxhim.

 

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU