Investimi në kriptovaluta është bërë trend që po i shtynë shumë kosovarë të cilët japin shuma të majme parash. Megjithatë, tregu është i mbushur me persona të cilët zhvatin para me premtime të rrejshme. Për plot raste të tilla është denoncuar në vazhdimësi një grup prej disa të dyshuarve, njëri prej të cilëve ra së fundmi në prangat e Policisë së Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.
I shumëkërkuari që njihet për mashtrime me kriptovaluta, Fitim Cakolli, u kap të mërkurën në Pejë, për çka Sinjali raportoi ekskluzivisht.
Ndaj tij dhe tre të dyshuarve të tjerë, Rona Salihut, Laurant Gashit dhe Erza Salihut, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë vitin e kaluar, për mashtrimet nga mesi i vitit 2020 deri kah fundi i 2022.
Sinjali ka siguruar aktakuzën ndaj grupit të dyshuar, për të cilët është raportuar edhe më parë, për rastet në të cilat janë përfshirë.
Grupi i akuzuar ngarkohet me veprën penale Mashtrimi në bashkëkryerje, si dhe për veprën penale Shmangia nga tatimi.
Njëri nga kosovarët që ka rënë pre e këtij grupi, ka paguar hiç më pak se 150 mijë euro, që sipas viktimës kanë përfshirë kursime, stolitë e arit të bashkëshortes dhe shuma të ndryshme që ka marrë borxh në vazhdimësi.
“Ne fillim të këtij mashtrimi nga ana e mashtruesve kam pasur para te mija nga kursimet e mëhershme rreth 140 mije euro përfshirë këtu edhe parat e fëmijëve dhe arin e gruas te cilat ju kam dhanë mashtruesve ne periudhat e ndryshme nga viti 2020, pastaj unë me qe nuk kisha mundësi qe te ju beja pagesat e tjera dhe me synimin se do ti merrja parat e mija dhe fitimin kam marr para borxh nga miqtë e mijë ne shuma te ndryshme, nga familja ime e ngushtë ju kam marr para ne vlerë prej 115 mijë euro për ti mbuluar borxhet e mija. Gjithash borxh kam marr vazhdimisht edhe nga shok te mi qe kemi punuar bashke ne treg ne shuma te ndryshme prej 960 euro deri ne shumen 50 mije euro” – thuhet në aktakuzën e siguruar nga Sinjali.