No menu items!

I thirri të gjithë kryetarët e komunave, kush i shkoi në takim e kush e injoroi Kurtin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar sot disa prej kryetarëve të komunave, për të diskutuar rreth situatës me COVID-19 në vend.

Ani se ftesa ishte për të gjithë kryetarët e komunave, shumica prej tyre nuk morën pjesë në takimin e thirrur nga Kurti.

Kjo pasi Asociacioni i Komunave të Kosovës sot mori vendim qe kryetarët të mos marrin pjesë në takimin e thirrur nga Kryeministri, pas mospërfshirjes së tyre në Komitetin anti-covid19.

Megjithatë, nga Zyra e Kryeministrit kanë njoftuar se në këtë takim ku ishin të pranishëm edhe ministri i Shëndetësisë Arben Vitia dhe ai i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, është folur për masat e ndërmarra për parandalimin e përhapjes së COVID-19 dhe për variantin Delta.

“Karakteristikat specifike të variantit Delta e bëjnë atë të fortë, të rrezikshëm dhe të paparashikueshëm, tha kryeministri Kurti. Ai theksoi se varianti Delta karakterizohet me një numër riprodhues jashtëzakonisht të lartë, sipas së cilit çdo person i infektuar me këtë variant, infekton mesatarisht shtatë persona të tjerë, ka interval serial jashtëzakonisht të shkurtër me ç’rast çdo person i infektuar mund të infektojë të tjerët mesatarisht 2.5 ditë pasi që është infektuar vetë dhe përhapet kryesisht nëpërmjet ngjarjeve super-shpërndarëse”, thuhet në njoftim.

“Nevojitet bashkëpunim i ngushtë ndërmjet Qeverisë dhe komunave, sidomos në mes të Policisë, inspektorëve komunalë dhe inspektorëve të AUV-it”, ka deklaruar Kurti.

Në njoftim është bërë e ditur se në takim ishin të pranishëm 12 kryetarë të komunave të Kosovës, ndërkaq në mesin e tyre janë parë kryetarët e tri komunave që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje, kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ai i Podujevës Shpejtim Bulliqi, dhe ai i Mitrovicës Agim Bahtiri.

“Në takim ishin të pranishëm kryetarët e 12 komunave të Kosovës, të cilët njoftuan për vështirësitë teknike që kanë në komunat e tyre në përballje me pandeminë. Kryeministri Kurti tha se së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia do të jetë në komunikim të vazhdueshëm edhe me komunat e tjera që nuk ishin të pranishëm në takim”, thuhet në njoftimin e zyrës së Kryeministrit.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU

Raporto24
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.