Çdo pranverë, zemrat tona kthehen në Gllogjan – vatër e heroizmit dhe djep i lirisë. 27 vjet më parë, në këtë tokë të shenjtë, tre heronj – Agron Mehmetaj, Gazmend Mehmetaj dhe Himë Haradinaj – u flijuan për lirinë e Kosovës, duke na lënë amanet shtetin e lirë dhe sovran.
24 marsi 1998 u shënua me gjak në historinë e qëndresës së Gllogjanit. Një vit më vonë, më 24 mars 1999, sikur fati të vuloste drejtësinë, qielli i Kosovës u ndriçua nga avionët e NATO-s. Sot mbushen 26 vjet nga ajo ditë kur bota e lirë iu bashkua kauzës sonë të drejtë, duke i dhënë fund një epoke të errët dhe hapur rrugën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Familja Haradinaj, gjithmonë në ballë të luftës për liri, u bë simbol i qëndresës së pathyeshme. Gjaku i dëshmorëve u shndërrua në themelet e fitores së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pushkët e luftëtarëve të lirisë dhe bombardimet e NATO-s u bashkuan në simfoninë e çlirimit, duke vulosur fitoren kundër okupatorit.
Në Kompleksin Memorial të Zonës Operative të Dukagjinit, çdo gur dëshmon sakrificën sublime të luftëtarëve tanë. Çdo pëllëmbë e kësaj toke është e shenjtëruar me gjakun e atyre që dhanë gjithçka për lirinë tonë. Kujtimi i tyre mbetet i përjetshëm në çdo frymëmarrje të Kosovës së lirë.
Mirënjohje e përhershme për aleatët tanë!
Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit!
Lahi Brahimaj