Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka njoftuar se është pezulluar mësimdhënësi i shkollës “Xhemail Mustafa” në kryeqytet, pas ngjarjes ku ai përjashtoi një nxënëse që mbante plis dhe hodhi flamurin kombëtar në bërllok.
Lushaku-Sadriu, gjatë një intervistë në emisionin Debat Plus, konfirmoi se mësuesi është ndëshkuar me masë disiplinore dhe është futur në komision disiplinor për veprimin e tij.
Ajo e theksoi se sjellje të tilla janë të papranueshme dhe bien ndesh me parimet demokratike ndërkombëtare, të cilat kërkojnë respektimin e simboleve shtetërore dhe kombëtare.
Një arsimtar ka zgjedhur të heqë flamujt dhe në një formë demonstrative t’i hedhë ata. Kemi marrë masë disiplinore. E kemi futur në komision disiplinor dhe e kemi pezulluar. Kjo nuk lejohet në institucionet publike, është kundër çdo principi demokratik ndërkombëtar për simbolet shtetërore dhe kombëtare…”, deklaroi Lushaku-Sadriu.
Ajo shtoi se shkollat janë institucione publike ku duhet të ruhet çdo simbol kombëtar, përfshirë ato të shteteve mike, të cilat duhet të respektohen në mënyrë të veçantë.