No menu items!

Maqedonci: Jemi për paqe dhe për stabilitet, andaj dhe jemi për anëtarësim në NATO

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka treguar para Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, synimet e Kosovës në fushën e sigurisë.

Maqedonci, përmes një postimi në facebook ka treguar se në mbledhjen e sotme ka raportuar rreth njëvjeçarit të kaluar, zhvillimeve në FSK, investimit në armatime por gjithashtu dhe sfidave me të cilat përballemi.

“Synimet e Republikës së Kosovës si shtet janë që qarta, jemi për paqe dhe për stabilitet, andaj dhe jemi për anëtarësim në NATO, për të ofruar kontributin tonë në mbrojtjen e vlerave perëndimore që në epokën në të cilën po jetojmë janë cënuar e vazhdojnë të cënohen nga shtete autoritare”, ka shkruar Maqedonci.

Postimi i plotë:

Në mbledhjen e sotme përpara Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes raportova rreth njëvjeçarit të kaluar, zhvillimeve në FSK, investimit në armatime por gjithashtu dhe sfidave me të cilat përballemi.

Sigurisht duke qenë sektori i sigurisë dhe mbrojtjes si më i rëndësishmi në vend, vëmendja dhe angazhimi ynë në baza ditore është maksimal në përmbushjen e të gjitha objektivave, dhe në këtë aspekt është bërë një investim enorm në raport me qeverisjet e kaluara.

Me mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, përmes një buxheti gjithmonë në rritje për ushtrinë, gjatë vitit të kaluar kemi investuar rreth 108 milionë euro në blerjen e sistemeve më moderne të armatimit.

Kemi shkolluar dhjetëra kadetë dhe trajnuar qindra të tjerë në akademitë më prestigjioze në botë. Kemi zgjeruar rrjetin e diplomacisë ushtarake por mbi të gjitha përmes bashkëpunimi të shkëlqyer me partnerët tanë strategjik, krahas dronëve po ngrisim kapacitetin ushtarak mbrojtës të FSK-së me blerjen e sistemit anti-tank Javeline dhe sistemeve të tjera moderne të armatimit.

Ka dhe shumë drejtime ku duhet vazhdojmë angazhimin, duke qenë se forcimi i ushtrisë nuk ka të bëj thjesht me përmbushjen e mandatit por me strukturën organizative, operacionale, kapaciteteve mbrojtëse që përbëjnë shtyllën e sigurisë për qytetarët, për të ardhmen e brezave të rinj dhe të vendit. Përmbushja e rolit kushtetues që krahas investimeve në armatime realizohet përmes investimit në burime njerëzore, të rinjtë e të rejat e vendit tonë, ushtarakët tanë. Ngritja e pagave duke përkrahur idenë e një shpërndarje në grada që do korigjonin hendekun financiar ndërmjet tyre, ishte veprimi konkret i ndërmarr gjatë vitit të kaluar përmes Ligjit të Pagave.

Si një ish-ushtarak u jam mirënjohës dhe vlerësues për kontributin e secilit ushtarak, nga ushtarët e deri tek gjeneralët për punën dhe kontributin e tyre që nuk kompensohet me vlerë monetare pasi është fisnike, shpirtërore e flijuese më tepër se përfituese, andaj dhe nuk është e lehtë.

Synimet e Republikës së Kosovës si shtet janë që qarta, jemi për paqe dhe për stabilitet, andaj dhe jemi për anëtarësim në NATO, për të ofruar kontributin tonë në mbrojtjen e vlerave perëndimore që në epokën në të cilën po jetojmë janë cënuar e vazhdojnë të cënohen nga shtete autoritare.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU