Familje me 20 anëtarë të punësuar në Telekom, kontrata me vajzën 12-vjeçare të punëtorit të Telekomit, e antena në oborre të hallave, tezeve e të deputetëve janë disa prej shkeljeve për të cilat ka alarmuar në Interaktiv të KTV-së, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj.
Për keqpërdorimet e shumta në Telekom ai ka thënë se ndërmarrja vazhdon të vuajë nga punësimet familjare.
“Ka jo veç lidhje politike, por edhe familjare. Vuajmë ende. Ka deri në 20 anëtarë të familjes, gruaja, burri, dhëndri, çika e hallës. Deri në 20 të një familjeje. Këto do të dalin në pah gjatë ristrukturimit”, ka thënë ai duke shtuar se ka marrë thirrje nga Prokuroria për disa raste të dërguara.
Ka thënë se shkelje tjetër ka qenë edhe lidhja e kontratave me kompani të regjistruara vetëm në letër.
Sipas tij, ka pasur raste kur Telekomi ka nënshkruar kontratë për vendosjen e antenave me një vajzë 12-vjeçare të një punëtorit të kësaj ndërmarrje.
Balaj ka thënë se e ka parë si skandaloze deklaratën e drejtorit ligjor të Telekomit në Komisionit Parlamentar se nuk ka parë një kontratë të caktuar. Sipas tij, ai është dashur të arrestohej tashmë nga policia.
Balaj ka zbuluar një bisedë të shkurtër me një ish-kryeministër për çështjet e shkeljeve në Telekom.
“I kam thënë një ish-kryeministri: Telekomi i ka rrënjët e krimit i ka jashtë, degët i ka brenda. Krasite sa të duash lisin, për ta tharë duhet me ia tha rrënjët. Më tha që do ta bëjë, por s’e bëri”, ka shpjeguar Balaj duke refuzuar të tregojë se për cilin ish-kryeministër bëhet fjalë.