No menu items!

Rrëfimi për gruan që vdiq pa e varrosur djalin e saj, i cili u vra në gjenocidin e kryer në Srebrenicë

Shuhra Pashaliq vdiq pa e varrosur as një kockë të vetme të djalit të saj Muhamedit, i cili u vra në gjenocidin e kryer në Srebrenicë, në pjesën lindore të Bosnjë e Herzegovinës, në korrik të vitit 1995.

Ajo priste që ta varroste Muhamedin së bashku me djalin e saj të dytë, Mehmedalijën, trupi i të cilit u zbulua më 2004. Me atë dëshirë vdiq, tregoi për Radion Evropa e Lirë, vajza e saj Samilla Pashaliq.

“Iu lut Zotit që të gjente eshtrat e vëllait tjetër për ta varrosur sa ishte gjallë. Vetëm ajo e di se si mbijetoi dhe nënat që kurrë nuk i gjetën fëmijët e tyre. As armikut mos i ndodhte diçka e tillë me fëmijë”, thotë Samilla.

Shuhra është një nga gratë që vdiqën duke pritur lajmin për konfirmimin e identitetit të eshtrave që janë gjetur.

Shoqata “Lëvizja e Nënave të enklavave të Srebrenicës dhe Zhepës”, siç thotë për REL, presidentja e kësaj shoqate, Munira Subashiq, deri më tani ka mbledhur të dhëna për rreth 570 gra që vdiqën pa gjetur të dashurit e tyre.

“Mbaj mend një nënë që ishte e sëmurë, që kishte humbur dy djem dhe burrin. Para se të vdiste më 2011, më thirri dhe më tha: ‘Të lutem vazhdo. Nuk gjeta asnjë kockë të djalit dhe do të vdes. Po të kisha gjetur një kockë të vetme, do ta kisha mbështjellë me mëndafshin më të bukur dhe do të vdisja e qetë’. Dhjetë minuta më vonë, ajo me të vërtetë vdiq”, tha Subashiq.

Dy vjet më vonë, eshtrat e djalit të një gruaje që vdiq, u gjetën pa u plotësuar dëshira e saj më e madhe.

Në të njëjtin vit, edhe Munira i gjeti dy eshtra të djalit të saj, Nerminit.

Njëzetegjashtë vjet pas gjenocidit të Srebrenicës, shumë gra ende nuk kanë gjetur anëtarët e familjes së ngushtë. Ato tashmë janë në dekadën e shtatë ose të tetë të jetës.

Disa prej tyre janë të sëmura rëndë dhe shanset e tyre, siç thonë ato, po zvogëlohen çdo ditë.

“Dëshira ime e vetme është që ta kem varrin dhe gurin e varrit të tij. Duket se nuk do ta pres. Sa shumë nëna vdiqën pa gjetur fëmijët e tyre?”. Kjo është pyetja me të cilën zgjohet nga gjumi dhe bije të fle Hajra Qatiq, kryetare e shoqatës “Gratë e Strebrenicës”, djali i së cilës, Nino Qatiq, u vra gjatë gjenocidit në Srebrenicë.

Nino ishte një reporter lufte nga Srebrenica, zëri i të cilit për herë të fundit u dëgjua më 9 korrik 1995, kur forcat e Ushtrisë së Republikës Sërpska nisën pushtimin e Srebrenicës, që atëbotë ishte zonë e mbrojtur e Kombeve të Bashkuar.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU