Prishtinë – “Pse po ju duhen këto informata?”. Kjo ka qenë përgjigjja në formë pyetjeje e dërguar nga zëdhënësi i Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), të premten, një ditë pasi “Betimi për Drejtësi” i ka dërguar pesë pyetje për problemet e disa banorëve në një lagje në Prishtinë me shtyllat dhe rrjetin elektrik.
Të njëjtën ditë zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka dërguar edhe përgjigjet në pyetje. Por, kësaj radhe ai ka vendosur të përdorë gjuhë fyese dhe nënçmuese teksa ka dhënë disa përgjigje lidhur me shtyllat elektrike dhe me vendosjen e rrjetit elektrik nën tokë. Një pyetje të gazetares, Buzhala e ka vlerësuar si qesharake.
Me këtë gjuhë, Buzhala ka shkelur rregullat etike të KEDS-it, ku secilit punëtor i ndalohet të përdorë gjuhë fyese dhe nënçmuese.
Kjo kompani, në Kodin Etik të publikuar në webfaqe, kod ky trashëguar nga KEK-u, sanksionon dërgimin e çfarëdo porosie fyese dhe nënçmuese përmes postës elektronike. Ky kod e përkufizon edhe e-mailin si dokument të kompanisë.
“Trafot nuk mund të vendosen nën tokë teknikisht. Ju si gazetare duhet ta dini në mënyrë që të mos bëni pyetje qesharake”, ka shkruar Buzhala, në një përgjigje me shkrim dërguar gazetares së “Betimit për Drejtësi”.
Buzhala e ka dhënë këtë përgjigje kur është pyetur se :“Çfarë keni vendosur lidhur me kërkesën dhe peticionin e banorëve të lagjes në Matiqan, gjegjësisht banorët e rrugës “Nimete Progonati” për vendosjen e trafos dhe rrjetit nën tokë?
Zëdhënësi i KEDS shpif kur komenton raportimet e “Betimit për Drejtësi”
Zëdhënësi i KEDS-it-, Viktor Buzhala, përpos përdorimit të gjuhës fyese dhe nënçmuese ndaj gazetares, ka shpërndarë edhe shpifje ndaj portalit “Betimit për Drejtësi”.
Kjo pasi Buzhala, pa asnjë argument, ka konstatuar se “Betimi për Drejtësi” ka qenë i njëanshëm, ka bërë huqje spektakolare kur është raportuar për ndaljen e rrymës në Pallatin e Drejtësisë gjatë kohës kur mbahen seancat gjyqësore.
“Ju si medium kohën e fundit keni qenë ekstrem të njëanshëm me huqje spektakolare në raportimet ndaj KEDS-it, sidomos në rastet e ndalesës së energjisë elektrike në Pallatin e Drejtësisë. Kjo, pasi qytetarët e vendit janë keq informuar disa herë nga ju, përmes mediumeve kryesore në vend që i kanë huazuar storjet tuaja”, ka shkruar Buzhala në përgjigje me plot të pavërteta.
Raportimi i fundit i “Betimi për Drejtësi” (linku i tekstit të plotë) për ndaljen e rrymës në Pallatin e Drejtësisë është më 1 korrik. Aty është raportuar vetëm se është ndalur rryma dhe është ndërprerë seanca. Meqë, nuk ka qenë fokusi i raportimit pse po ndalet rryma, por seanca gjyqësore ndaj katër ish-ministrave të akuzuar për korrupsion, “Betimi për Drejtësi” nuk e ka trajtuar fare temën e rrymës. Rrjedhimisht, ia kujtojmë z. Viktor Buzhala, se askund në tekst nuk përmendet se rrymën e ka ndalë KEDS-i.
Njëjtë është raportuar edhe më 29 qershor, kur është ndalur rryma në seancën e mbajtur për rastin “Stenta 2”. Pa ia atribuuar askujt fajin, “Betimi për Drejtësi” ka raportuar vetëm se është ndalur rryma. As në këtë raportim (linku i tekstit të plotë) nuk është përmendur KEDS-i.
Për ndaljen e rrymës është raportuar (linku i tekstit të plotë) edhe më 8 qershor kur është mbajtur seanca ndaj Ukë Rugovës dhe të tjerëve. Edhe aty, “Betimi për Drejtësi” ka raportuar për ndërprerje të energjisë elektrike. Askund nuk përmendet KEDS. Askush nuk ia ka lënë fajin kësaj kompanie.
Zëdhënësi i KEDS-it përpos përdorimit të gjuhës fyese, nënçmuese dhe shpifëse bën edhe interpretime të pabazuara që janë të ngjashme me paranojat (procese mendore irracionale e konspirative), kur shkruan se raportimet për ndaljen e rrymës në Pallat të Drejtësisë fajtore e nxjerrin kompaninë që bën shpërndarjen e rrymës.
“Në rastin konkret, pra tek Pallati i Drejtësisë është lënë të nënkuptohet që ndalesa është bë nga KEDS për ta ndërpre energjinë gjatë zhvillimit të seancave të rëndësishme çka nuk ka qenë e vërtetë. Energjia elektrike është ndalë nga ose në pjesën nën ingerencat e Pallatit dhe ju nuk e keni cekë këtë në asnjë rast”, shkruan Buzhala.
Edhe njëherë, askund, në asnjë fjali, në asnjë tekst, në asnjë paragraf të raportimit të “Betimit për Drejtësi” nuk përmendet KEDS-i si fajtor pse po ndalet rryma gjatë seancave në Pallat të Drejtësisë. Nuk aludohet te KEDS-i, nuk përmendim as tërthorazi KEDS-in. Sepse te “Betimi për Drejtësi” raportohet për fakte dhe tekstet bazohen në argumente. Nuk fshihemi pas nënkuptimeve por e raportojmë secilin rast, secilën ngjarje me emrin e saktë. Sikurse ka ndodhur edhe te ndalja e rrymës në Pallatin e Drejtësisë.
Zëdhënësi i KEDS-it thotë se s’ka shtyllë elektrike as në skaj të rrugës, faktet e thonë të kundërtën
Shtyllat elektrike të KEDS-it vazhdojnë të qëndrojnë nëpër dhe skaj rrugëve duke penguar kështu këmbësorët dhe shoferët. Dy shtylla të tilla ndodhen edhe në rrugën “Nimete Progonati” në Matiqan.
“Betimi për Drejtësi” ka xhiruar të mërkurën e kaluar në këtë rrugë dhe aty përpos shtyllave elektrike pengesë janë edhe telat e rrymës. Kjo pasi kamionët që janë të ngarkuar detyrohen të bëjnë zgjidhje alternative për të kaluar në një rrugë të tillë. Në videon e mëposhtme mund ta shihni se si një punëtor detyrohet të largojë telat e rrymës në mënyrë që kamioni të kalojë pengesën.
Në anën tjetër, Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka thënë se asnjë shtyllë elektrike nuk është e vendosur jo në mes të rrugës por as në skaj të saj. Ka thënë se shtyllat e energjisë elektrike janë të vendosura sipas standardeve.
Mirëpo, ai i ka bërë fajtorë kompanitë që po bëjnë zgjerimin e rrugëve dhe nuk po bëjnë kërkesa në KEDS për t’i zhvendosur shtyllat elektrike.
“Fatkeqësisht, në rastet e zgjerimit të rrugëve në disa raste nuk po bëhet kërkesa për zhvendosje dhe të bëhet zhvendosja e saj pastaj të plasohet me punime e zgjerim rruge a çka ka nevojë. Ne ju inkurajomë ta hulumtoni tutje këtë në mënyrë që të vijë deri tek e vërteta e plotë dhe të nxirret shkaktari që e ka krijuar atë situatë”, ka thënë ai.
Jo vetëm në Prishtinë, por edhe në rajone tjera, shtylla elektrike në rrugë ka gjithandej. Një shtyllë e tillë ndodhet në Fushë Kosovë e raportuar nga fakteplus. Po ashtu, një shtyllë tjetër elektrike në Prizren, në mes të rrugës. Për shtyllë elektrike në mes të rrugës është raportuar edhe në Sllatinë të Fushë Kosovës.
Banorët e rrugës “Nimete Progonati” kanë bërë kërkesë me shkrim në KEDS për ta vendosur nën tokë rrjetin elektrik. Madje, banorët i kanë bërë thirrje kompanisë që merret me shpërndarjen e rrymës që ta vendosë nën tokë sistemin në kohën kur në këtë lagje po kryhen punime në rrugë.
Zëdhënësi i KEDS-it ka thënë se kompania po punon në këtë drejtim. Nuk ka dhënë përgjigje konkrete se kur do të përfundojnë punimet në këtë lagje sa i përket vendosjes së rrjetit nën tokë.
“Sa i përket rrjetit, ne jemi duke futur nën tokë pjesën më të madhe të rrjetit elektrik të tensionit të mesëm në Prishtinë. Por, njëjtë funksional është edhe rrjeti mbitokësor dhe është i shtrirë në konfiguracion të tillë edhe në vendet me të zhvilluara të botës. Pra, shtrirja e rrjetit në shtylla elektrike është një proces normal për secilin vend të botës. KEDS projekton rrjetin në atë mënyrë që të jetë sa më funksional dhe të mundësojë kryerjen e shërbimeve sa më kualitative për konsumatorët”, ka thënë ai.
Ndërkohë, pyetje janë dërguar edhe në adresë të Komunës së Prishtinës mirëpo përgjigje nuk kanë kthyer.
“Betimi për Drejtësi” ka pyetur Komunën se a e kanë pranuar rrugën “Nimete Progonati” si të përfunduar nga punëkryesi? Se a është e njoftuar komuna nga organi mbikëqyrës se rruga ka probleme me shtyllat elektrike dhe gropa të pambuluara që paraqesin rrezik për automjetet dhe banorët e atij vendi? Cila janë masat që komuna do t’i ndërmarrë për këtë problem?/BetimipërDrejtësi