Prishtinë, 24 prill 2025 – Policia e Kosovës, përkatësisht Sektori për Hetime Financiare, ka zhvilluar sot një bastisje në zyrat e një subjekti ekonomik në Prishtinë, në kuadër të hetimeve për veprën penale të mashtrimit.
Bastisja është kryer me urdhër të Gjykatës Themelore, ndërsa dyshimet lidhen me një rast ku një qytetari i ishte kërkuar një shumë prej mbi 100,000 euro për trajtimin e një anëtari të familjes së tij në një spital në Stamboll. Sipas autoriteteve, këto shpenzime ishin mbuluar paraprakisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Gjatë operacionit, janë sekuestruar dokumente dhe pajisje që mund të shërbejnë si prova. Dy persona të dyshuar, me inicialet I.P. dhe A.B., janë ndaluar për 48 orë, ndërsa një i tretë ndodhet në kërkim.