No menu items!

Si ka ndikuar fenomeni “Andrew Tate” te nxënësit në Kosovë?

Njëzet e një duart e ngritura lart në një klasë të gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë tregojnë se rreth 60 për qind e nxënësve të saj – 17 dhe 18 vjeç – e njohin influencuesin britaniko-amerikan, Andrew Tate.

“Ai është baba, Top G [v.j. shkurtesë për shprehjen ‘Top Gangster’], ka vetëm fjalë të mira për të”, thonë me shaka disa nga djemtë e asaj klase kur pyeten se çfarë dinë për 36-vjeçarin.

Por, humori i tyre ndryshon kur njëra nga vajzat e klasës e ngre zërin kundër figurës së Tates.

“Mua më duket shumë njeri primitiv”, është e gjitha që arrin të thotë gjimnazistja, para se të ndërpritet nga nxënësit e tjerë.

Rukovci nuk çuditet që djemtë janë më të zëshëm në mbështetjen e tyre për Taten se vajzat në kundërshtimin e tyre për të.

“E kemi parë se vajzat janë duke pasur probleme nëpër shkolla dhe shpeshherë nuk po ndihen rehat të flasin për këto tema”, thotë ajo.

Sipas saj, një numër vajzash ka raportuar në mediumin Grazeta ngacmime seksuale në ambientet shkollore.

Çfarë janë maskuliniteti toksik, mizogjinia dhe feminizmi?

Këto tri koncepte kanë qenë të përfolura shpeshherë në media lidhur me Andrew Taten – maskuliniteti toksik dhe mizogjinia për ta përshkruar figurën e tij, ndërsa feminizmi për shkak të kritikave të tij për këtë lëvizje.
Sipas ueb-faqes amerikane të shëndetit mendor VeryWell Mind, maskuliniteti toksik i referohet “idesë së disa personave se ‘burrëria’ përbëhet nga dominimi, homofobia dhe agresioni”.

Në Enciklopedinë Britanike, mizogjinia definohet si “urrejtje ose paragjykim ndaj grave, i shprehur veçanërisht nga burrat”, ndërsa feminizmi si “besim në barazinë shoqërore, ekonomike dhe politike të gjinive”.

Edhe pse nuk e ka kërkuar ndonjëherë emrin e Andrew Tates në makinat digjitale të kërkimit, si Google, Mrika Mehmeti – Dema, mësimdhënëse e gjuhës angleze në Akademinë ORA në Prishtinë, thotë se di shumëçka për të, shkaku i nxënësve të saj të grup-moshës 11 deri në 15 vjeç.
Disa nxënësve u pëlqen sidomos kur u tregon atyre se si të bëhen të suksesshëm në jetë, si të fitojnë para. Ndërsa, në aspektin negativ, kam vënë re gjuhën të cilën ai e përdor, fjalorin joadekuat dhe disa qëndrime që shkojnë në të kundërtën e rrymave… Dhe nxënësve automatikisht u duket trim dhe ‘shumë i fortë’”, thotë mësimdhënësja Mehmeti – Dema për Radion Evropa e Lirë.

Tate është themelues i një komuniteti online, i njohur si “Hustler’s University”, ku anëtarët paguajnë një shumë të caktuar parash në muaj për “këshilla” se si të bëjnë para. Në këtë komunitet që ofron “edukim dhe trajnim”, siç thuhet në ueb-faqen e tij zyrtare, janë të abonuar rreth 100 mijë persona.

Të dhëna se sa qytetarë të Kosovës mund të kenë paguar për shërbimet e kësaj faqeje, nuk ka.

Mehmeti – Dema thotë se në shkollën e saj nuk ka pasur diskutime me prindërit lidhur me Taten veçanërisht, por se është folur për “ndikimin e rrjeteve sociale te nxënësit” dhe për monitorimin e tyre.

Edhe kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Jeton Demi, thotë se nuk ka pasur shqetësime të shprehura lidhur me ndikimin e Tates në mënyrë specifike, por shton se prindërit janë “të brengosur për sigurinë e fëmijëve nëpër shkolla”.

“Është shqetësuese që fëmijët në Kosovë ekspozohen ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme e të dëmshme, meqë nuk ka masa mbrojtëse institucionale ndaj përmbajtjeve të caktuara”, thotë Demi.

Ai thotë se për këtë arsye, Këshilli i Prindërve të Kosovës do të donte që përmbajtja që emitohet përmes internetit në Kosovë, të kufizohet.

“Rastet e dhunës janë në rritje të vazhdueshme dhe kjo kërkon trajtim nga institucionet me masa shumë më të rrepta ndaj shfaqjeve të dhunshme nga kushdo. Për këtë, institucionet qendrore po bëjnë shumë pak”, shton Demi.

Nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) thonë se çështja e edukimit të fëmijëve adresohet përmes kurrikulave dhe teksteve shkollore, si dhe doracakëve për mësimdhënës.

“Vetë legjislacioni i arsimit dhe aktet nënligjore e kanë për bazë mosdiskriminimin. E kemi edhe Protokollin për parandalim dhe referim të dhunës në shkolla”, thotë Edona Kutleshi – Maliqaj, këshilltare për media në MASHTI.
Sipas të dhënave nga Policia e Kosovës, në vitin 2022 janë evidentuar 592 incidente në shkolla dhe përreth tyre, ndërsa në janar të këtij viti 46. Nuk është e qartë se të cilës natyrë janë këto incidente.

Rukovci beson se përkrah fushatave ndërgjegjësuese, duhet të formalizohet edhe roli i psikologëve shkollorë në luftimin e dukurive të tilla negative, përmes udhëzimeve administrative më të plotësuara.

“Duhet të krijohet një ambient ku promovohet ideologjia e shëndoshë, ku promovohen vlerat liberale, në të kundërtën do të vazhdojë promovimi i një ideologjie të dëmshme dhe do të zgjerohet kultura e mizogjinisë dhe kultura e përdhunimit dhe e dhunës ndaj grave”, thotë ajo.

Psikologija në Shkollën e Mesme të Lartë Profesionale “Fehmi Agani” në Klinë, Lumturije Hasanaj, thotë se nxënësit e saj nuk i kanë folur për Taten në mënyrë specifike. Por, ajo thotë se mban rregullisht ligjërata në lidhje me luftimin e dukurisë së ngacmimeve dhe bullizmit.

Në Kosovë, Tate duket se ka gjetur përkrahje edhe në mesin e disa personave të komunitetit islamik. Ai u konvertua në islam në tetor të vitit të kaluar, ndërsa u fotografua duke mbajtur një Kuran në duar, gjatë hyrjes në një seancë gjyqësore në janar të këtij viti.

Mediumi ka kontaktuar një numër personash që kanë shprehur përkrahje për Taten në rrjetet sociale, duke iu referuar konvertimit të tij në islam, mirëpo ata nuk kanë dashur t’i komentojnë postimet e tyre. As Bashkësia Islame e Kosovës nuk u është përgjigjur pyetjeve lidhur me këtë temë./REL/

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU

Raporto24
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.