No menu items!

14 vite miqësi, 14 finale: Dyshja perfekte, ‘Dani’ dhe ‘Lima’, emrat që po shkruajnë historinë e futsallit kosovar

Në futsallin kosovar ka shumë emra të mëdhenj, por pak lidhje aq të fuqishme dhe të qëndrueshme sa ajo mes Ramadan Alajt (Dani) dhe Halim Selmanajt (Lima).

Dyshen e cila ka ndarë fushën për më shumë se 14 vite, e bashkon jo vetëm loja dhe sukseset, por edhe një miqësi që ka kaluar përtej kufijve të sportit. Pra, plot 14 finale radhazi me FC Liburnin dhe FC Prishtinën 01.

Prej vitit 2010, Dani dhe Lima ishin bashkëlojtarë te FC Liburni, ku ndërtuan një themel të fortë të karrierës.

Që nga sezoni 2020/21, të dy u bashkuan me FC Prishtina 01, duke qenë pjesë kyçe e dominimit absolut të këtij klubi: 3 tituj kampionë radhazi dhe 3 Kupa të Kosovës. Të pandashëm në lojë, të pathyeshëm në finale – ky është identiteti i kësaj dysheje.

Alaj tregon se si e nisi, ndërsa flet edhe për partneritetin me Halim Selmanajn dhe finalet e fituara.

“Që nga fillimi i futsalit në vendin tonë në vitin 2008, jam pjesë e Superligës deri më sot. Kam 15 vite që luaj në finale, ndërsa Lima 14 sosh. Kam fituar 8 finale, Lima ka fituar 7 finale. Jemi mësuar me atmosferën, presionin dhe emocionin e tyre”, deklaroi fillimisht Alaj për Telegrafin.

Në anën tjetër, Lima ka treguar se në fillimet e tij kishte mbështetje të madhe nga Abaz Beqa, president i FC Liburnit.

“Unë e fillova karrierën në vitin 2010 me FC Liburnin. Dua të falënderoj Abaz Beqën, që më dha mundësinë e parë dhe më përkrahu edhe përtej fushës. Kjo mbështetje më ndihmoi të rritem si sportist dhe si njeri. Përveç mbështetjes financiare që më ka ofruar në atë periudhë, ai ka qenë gjithmonë pranë meje edhe në aspektin jetësor, me këshilla, përkrahje dhe mirëkuptim”, deklaroi Selmanaj.

Miqësia e tyre, që ka lindur në fushë, është shndërruar në një vëllazëri të sinqertë që i jep edhe më shumë peshë çdo suksesi të përbashkët.

“E dinim ku ishte tjetri në fushë pa e parë fare. Loja jonë u ndërtua mbi mirëkuptim, por ajo që nisi si bashkëlojtarë tani është vëllazëri e vërtetë. Jemi thuajse si binjakë, të pandashëm edhe jashtë fushës”, nënvizoi Alaj.

Lima, që është më i ri se Dani, tregon se si ky i fundit i ka dhënë përkrahje të madhe që nga fillimi.

“Që kur ai erdhi nga Benago në Liburn, kemi qenë krah për krah. Ai ka qenë gjithmonë aty për mua – më ka inkurajuar, më ka besuar dhe më ka ndihmuar në momentet kur më është dashur më së shumti. Kam pasur fatin të kem pranë një mik të veçantë, jo vetëm bashkëlojtar, por edhe një vëlla i madh për mua. Ai ka qenë gjithmonë aty – më ka besuar, më ka inkurajuar dhe më ka dhënë motivim kur më është dashur më së shumti”, deklaroi Lima.

Ramadan Alaj, kur pyetet për sukseset, thotë se janë meritë e të gjithë bashkëlojtarëve ku ka luajtur, ndërsa si arritje më të madhe e vlerëson kalimin në Elite Round të Ligës së Kampionëve me FC Prishtinën 01.

“Sukseset tona janë meritë e të gjithë skuadrave ku kemi luajtur – si FC Bamboo, FC Liburn apo FC Prishtina 01. Kemi pasur fatin të jemi pjesë e ekipeve të forta dhe të bashkëlojtarëve që gjithmonë kanë ditur të japin maksimumin. Një nga arritjet më të mëdha për mua është kualifikimi në Elite Round të Champions League me Prishtinën”, deklaroi Alaj.

Lima, që njihet për golat dhe driblimet e tij, tregon se kulmi i karrierës për të ishte kur ishte i dyti pas Cristiano Ronaldos me golat në garat evropiane.

“Në vitin 2017, isha i dyti pas Cristiano Ronaldos në listën e UEFA-s për golashënuesit më të mirë në futsall. Shënova 12 gola me Liburnin dhe 9 me Kombëtaren Shqiptare në kualifikime për Euro 2018. Po atë vit u shpalla edhe sportisti i vitit në futsall në Kosovë”, tregon Lima.


Alaj dhe Selmanaj kanë edhe një ëndërr të pambyllur, një kualifikim i Kosovës ose Shqipërisë në Kampionatin Evropian të futsallit. Po ashtu edhe sukseset me skuadrën aktuale, FC Prishtina 01.

“Një ndër ëndrrat e mia është të kalojmë në Final Four me FC Prishtina 01 dhe të shoh Kosovën ose Shqipërinë të kualifikuar në Kampionatin Evropian apo Botëror”, deklaroi Alaj.

Në anën tjetër, Selmanaj thotë se i janë afruar disa herë kësaj ëndrre dhe shpreson ta arrijë.

“Një dëshirë që ende e kam është të kualifikohem në një Europian me Kombëtaren e Shqipërisë. Kemi pasur shumë përpjekje, jemi afruar disa herë, por do të vazhdojmë të luftojmë”, deklaroi ai.

Për fund, dyshja deklaruan njëzëri që futsalli po ka ngritje çdo vit, dhe këtë e konfirmojnë edhe lojtarët e huaj që çdo vit zbarkojnë në vendin tonë,

“Çdo vit ka më shumë cilësi, më shumë interesim dhe më shumë rivalitet. Shpresojmë që ky trend të vazhdojë dhe të mos ndalet”.

Sot, Dani është kapiteni i Kosovës, ndërsa Lima përfaqëson Shqipërinë. Në fushë janë liderë të padiskutueshëm, jashtë saj janë model për sportistët e rinj.

Me më shumë se 14 finale të luajtura secili, me dhjetëra trofe, me një miqësi të sinqertë dhe përkushtim maksimal, ata vazhdojnë të jenë fytyra e suksesit të futsallit në Kosovë


Dani dhe Lima – janë jo vetëm legjenda të fushës, por simbol i vlerave që sporti duhet të ketë: miqësi, besim dhe punë ekipore. /Telegrafi/

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU

Raporto24
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.