Prishtinë, 8 korrik 2025 – Policia e Kosovës ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me rastin e rëndë që ndodhi më 7 korrik në Lipjan, ku një 27-vjeçar ndërroi jetë pas ndërhyrjes së policisë.
Sipas komunikatës, më 07.07.2025 rreth orës 00:12, Policia e Kosovës ka pranuar gjashtë thirrje telefonike nga qytetarët për një person me sjellje agresive që, përmes veprimeve të tij, po rrezikonte qytetarët, duke i sulmuar ata, ndjekur automjete dhe tentuar të hynte në to. Ngjarja është raportuar në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan.
Njësitet policore kanë reaguar menjëherë për të ndaluar rrezikun. Edhe në praninë e policisë, personi i dyshuar kishte sjellje të pakontrollueshme, agresive dhe ka ofruar rezistencë aktive, duke u vërsulur drejt zyrtarëve policorë. Në këto rrethana, policët janë detyruar të përdorin sprejin policor, me qëllim të neutralizimit të situatës dhe arrestimit të tij.
Policia njofton se përpara përdorimit të forcës, kanë komunikuar dhe tentuar të negociojnë me personin për rreth 5-6 minuta, ndërsa është thirrur edhe ndihma e shpejtë, për shkak të gjendjes së tij të rënduar shëndetësore dhe psikologjike. Pavarësisht përpjekjeve, i dyshuari ka tentuar të ikë, por është arrestuar nga policia.
Autoambulanca ka arritur në vendin e ngjarjes brenda 3 minutave dhe ka tentuar të ofrojë ndihmën e parë, por mjekët kanë konstatuar vdekjen e tij në vendin e ngjarjes.
Gjatë kontrollit, në posedim të të ndjerit janë gjetur gjësende personale dhe një substancë pluhur që dyshohet të jetë narkotike, e cila është dërguar për ekzaminim.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë:
Njësitë relevante hetimore
Prokurori për krime të rënda
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK)
Të gjitha provat materiale, dëshmitë dhe pamjet e kamerave janë ndarë me Prokurorinë dhe IPK-në. Me vendim të prokurorit është iniciuar hetim penal, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Bazuar në rekomandimin e IPK-së, janë suspenduar pesë zyrtarë policorë (katër zyrtarë dhe një rreshter), të cilët janë dërguar në mbajtje pas intervistimit dhe rikualifikimit të veprës penale.
Policia thekson se është në bashkëpunim të plotë me institucionet relevante dhe do të presë përfundimin e hetimeve dhe raportin e obduksionit për të sqaruar të gjitha rrethanat e rastit.
> “Policia e Kosovës është në shërbim të qytetarëve me të gjitha kapacitetet, detyrat dhe obligimet ligjore që ka,” përfundon komunikata zyrtare./Rapprto24/