Raporto24 gjatë ditës së sotme ka raportuar lidhur me cilësinë e ushqimit që u servohet pacientëve në QKUK.
Derisa Raporto24 është interesuar të dijë se cila është kompania që ka fituar tenderin për furnizim me ushqim në QKUK, ata kanë thënë se “Janë disa kontrata të ndryshme të klasifikuara sipas grupeve të ushqimeve dhe të lidhura nga AQP (Agjencia Qendrore e Prokurimit) Pra, janë disa kompani dhe të gjitha kontratat janë të lidhura nga AQP.
Pra, ne furnizohemi me produkte bazë nga kontratat e lidhura nga AQP, dhe pastaj ne i përgatisim ushqimet në kuzhinën qendrore në QKUK”.
Raporto24 ka pyetur gjithashtu edhe për kosoton për një racion që u servohet pacientëve.
E për këtë ka marrë përgjigje nga Sektori i Ushqimit dhe Servimit në QKUK, të cilët kanë thënë se “Kostoja mesatare për prodhimin e një racioni ushqimor është 0.80 euro ose 80 cent”, kanë thënë ata për Raporto24.
Në një sqarim shtesë, ata kanë theksuar se “Buxheti i përafërt për vitin 2023 për Sektorin e Ushqimit, respektivisht ushqimin për pacientët dhe stafin kujdestar është rreth 1.1 milion euro”.
Ata, gjithashtu kanë thënë se “Nga 1 janari 2023 deri me 30 qershor 2023 ne kemi përgatitur dhe shërbyer 815 952 racione ushqimore dhe kostoja totale për këto ka qenë 654 223 euro, ose 80 cent, siç e ceka më lartë”, thuhet në përgjigjen e Sektorit të Ushqimit dhe Servimit në QKUK, për “Raporto24”.
Mirëpo, të pyetur se cili është kualiteti i ushqimit?
Të njëjtit kanë pohuar se kualiteti i ushqimit definohet në bazë të karakteristikave organo leptike, vlerave ushqyese, siguria dhe shumëllojshmëria (sepse ushqimet e plotësojnë njëri tjetrin).
“Ne nga Sektori i Ushqimit u shërbejmë pacientëve të gjitha llojet e frutave dhe perimeve, përfshirë avokado, të gjitha llojet e mishrave, 5 lloje të ndryshme të peshqve (koc, levrek, trofta, tuna dhe sardina), disa lloje të supave, sallata, jogurt, qumësht, etj. Të gjitha ushqimet janë të kontrolluara dhe pranuara, nga inspektorët sanitar (nga AUV), inspektorët e tregut dhe para se të pranohen si lëndë të para, kontrollohen nga komisioni dhe vazhdojnë tutje në përpunim”, thuhet në përgjigjen e tyre për “Raporto24”.
E sa mund të realizohet një menu e tillë, me 0.80 cent mesatarisht, natyrisht se është çështje për diskutim të mëtejshëm.
Megjithatë, Raporto24 në ditët në vijim do të përcjellë nga afër servimin e ushqimit në QKUK dhe do të marrë opinionet e pacientëve lidhur me atë se sa janë ata të kënaqur me ushqimin.