Sot zhvillohen ndeshjet e katër grupeve të tjera të xhiros së parë të Ligës së Kampionëve të edicionit 2023-24, raporton Sinjali Sporti.
Në program sonte do të jenë sfidat e grupeve A, B, C dhe D.
Sfida më interesante do të jetë ajo e grupit A, mes Bayern dhe Manchester United.
Manchester United hyn në garën e Champions në një formë jo të mirë nga kampionati anglez, ku së fundi u mposht nga Brighton në Old Trafford dhe renditet në pozitën e 13-të me 6 pikë pas 5 xhirove të para.
Bayern ndërkohë në Bundesliga ndan kreun e tabelës me Bayer Leverkusen me nga 10 pikë, me të dyja skuadrat që u ndanë baras në ndeshjen e tyre direkte në fundjavën që shkoi.
Klubi gjerman sidoqoftë ka një rekord tjetet impresiv në fazën e grupeve, diçka që mund ta shqetësojë edhe më shumë klubin anglez përpara kësaj sfide.
Bayern nuk ka humbur asnjë nga 34 ndeshjet e fundit të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve, ecuria më e gjatë e pamposhtur e këtij lloji në historinë e kompeticionit.
Ndërkohë klubi tjetër anglez, Arsenali rikthehet në këtë kompeticion pas një mungese prej 6 vitesh.
Londinezët janë shortuar në grupin B me skuadrat si PSV, Sevilla dhe Lens dhe sonte debutojnë në shtëpi ndaj skuadrës holandeze.
Në grupin C, mbretërit e këtij kompeticioni, Real Madrid luajnë ndeshjen hapëse në Bernabeu ndaj skuadrës gjermane Union Berlin me fillim nga ora 18:45. ‘Galaktikët’ përpos Union Berlinit, në grup kanë edhe Bragën.
Të gjitha ndeshjet që zhvillohet sonte:
18.45 | Galatasaray – Kopenhag
18.45 | Real Madrid – Union Berlin
21.00 | Bayern – Man Utd
21.00 | Arsenal – PSV
21.00 | Sevilla – Lens
21.00 | Braga – Napoli
21.00 | Benfica – Salzburg
21:00 | Real Sociedad – Inter