Ballkani nis të enjten kampanjën e grupeve të Ligës së Konferencës për edicionin 2023-24. Ky do të jetë edicioni i dytë rresht që klubi portokalli do të luajë në grupe të kësaj gare, raporton Sinjali Sporti.
Suharekasit rishkruan historinë këtë edicion, duke u kualifikuar në grupe të një kompeticioni madhor evropian për herë të dytë, teksa asnjë skuadër tjetër kosovare nuk kishte arritur ndonjëherë një sukses të tillë.
Pas eliminimit zhgënjyes në raundin e parë të Ligës së Kampionëve, duke u eliminuar nga kampioni bullgar, Ludogorest, Ballkani u desht të pajtohej me fatin e të luajturit në Ligën e Konferencës.
Rrugëtimi i Ballkanit në këtë garë ishte përsëri i jashtëzakonshëm, duke eliminuar skuadra e kampione të shteteve të ndryshme.
Fillimisht ata eliminuan kampionin e Irlandës Veriore me rezultat të përgjithshëm 7-1, duke i fituar ndeshjet 3-0 dhe 4-1.
Më pas ata eliminuan kampionin e Gjibraltarit, duke fituar me rezultat të përgjithshëm 5-1 dhe krejt në fund, në raundin e tretë, duke eliminuar skuadrën bjelloruse, BATE Borisov me rezultat të përgjithshëm 4-2.
Kësisoj ata do të garojnë në grupe për edicionin e dytë me radhë, ku dhe janë njoftuar tash me klubet që do të garojnë në këtë fazë.
Ballkani është shortuar me skuadrat si ajo çeke, Viktoria Plzen, kroate Dinamo Zagreb e ajo nga Kazakistani, Astana.
Ndeshjen e parë Ballkani do ta zhvillojë në udhëtim në Çeki ndaj Plzen, dhe kapiteni i Ballkanit, Edvin Kuç ka folur për Sinjalin dhe ka treguar për gjasat e tyre për këtë ndeshje dhe në përgjithësi të kësaj faze grupore.
Kuç është shprehur optimist për këtë ballafaqim, duke besuar në cilësitë e skuadrës së tij, në organizimin e klubit dhe njohuritë e stafit profesional, që sipas tij kanë qenë arsyet kryesore pse ata po e shijojnë një sukses për herë të dytë radhazi.
“Ne arritëm të luajmë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës këtë vit, dikush e përjeton një herë në karrierë, ne arritëm ta bëjmë dy herë në pak më shumë se një vit. Mendoj se këtë vit kemi hyrë me shumë më tepër përvojë, shpresoj që të mos kemi probleme me lëndime dhe fati të na shërbejë. Ne jemi gjithmonë optimistë, besimi në cilësinë tonë, organizimi i klubit, njohuritë e stafit profesional na kanë sjellë këtu dhe shpresoj që ky të jetë vetëm fillimi”, u shpreh ai.
Kuç ndër të tjerash tha se tre skuadrat janë shumë të forta por se kjo nuk do të thotë se ata nuk mund të luajnë ndaj këtyre skuadrave, duke shtuar se do të bëjnë maksimumin për rezultate pozitive.
“Të tre skuadrat e grupit janë të forta, me buxhete shumë më të mëdha, por kjo nuk do të thotë se nuk mund të luajmë kundër tyre, kemi respekt për të gjithë, por mbi të gjitha për veten tonë. Na pret një ndeshje e vështirë, do të bëjmë maksimumin për të arritur një rezultat pozitiv”, shtoi ai.
I pyetur për gjasat për një kalim në fazën eliminatore të Ligës së Konferencës ai tha se nuk janë favoritë por paralajmëroi se nuk do të jenë kundërshtar i lehtë për asnjë skuadër, duke shtuar se me mbështetjen e tifozëve ata mund të bëjnë një tjetër hap historik përpara.
“Për të arritur diçka në jetë duhet të besosh, nuk jemi favoritë, do të shkojmë lojë pas ndeshje, jam i sigurt që nuk do të jemi kundërshtar i lehtë për askënd. Me pak fat dhe mbështetjen e tifozëve tanë, njerëzve që e duan këtë klub, ne mund të bëjmë një tjetër hap historik përpara”, përfundoi Kuç.
Ballkani do të duelojë me Plzen të enjten, me fillim nga ora 21:00.