Natën e kobshme të 29 nëntorit, në rrugën “Dalip Alshiqi”, u vra një femër.
Pak kohë nga ky akt makabër, u bë e ditur se e vrarë mbeti Liridona Murseli, gruaja e Naim Murselit, ish-këshilltar i Behgjet Pacollit.
E tëra kjo supozohej se ndodhi si përpjekje për plaçkitje.
Të paktën siç pretendonte edhe vet Naim Murseli, sipas një deklarate të dhënë në polici.
Derisa sot në varrezat e fshatit Cërmjan iu dha lamtumira e fundit, tashmë të ndjerës Liridona Murseli.
Pak orë pas përfundimit të ceremonisë së varrimit, u bë e ditur se dy persona janë arrestuar nga policia si të dyshuar për rastin.
Edhe në njoftimin e Prokurorisë u bë e ditur se “janë arrestuar personat G.P. (dorasi) dhe N.M. (bashkëshorti i viktimës), të dyshuar në vrasjen e viktimës”.
Sipas informacioneve të para, bazuar në dëshminë e të dyshuarit për vrasjen e Liridona Murselit, i njëjti është paguar nga bashkëshorti i saj, tashmë i arrestuar, Naim Murseli.
Menjëherë pas këtij arrestimi, ka reaguar edhe Jetlir Zyberaj, njëri ndër bashkëpunëtorët e Behgjet Pacollit, i cili ka mohuar se Murseli të ketë qenë këshilltar i Behgjet Pacollit.
“Murseli ka qene nje djal i ri eshte bere pjese e stafit te gjere te z.Pacolli, por qe zyrtarisht nuk ka qene keshilltar i tij. E verteta eshte se ka qene asistent per rrjetet sociale per shkak te njohurive te IT qe ka pasur dhe i eshte dhene mundesia nga ish presidenti Pacolli. Megjithate rasti i rende qe ka ndodhur duhet te zbardhet dhe pergjegjesit duhet ta marrin denimin kapital”, ka thënë Zyberaj për Express.
Mirëpo, e vërteta qëndron krejtësisht ndryshe, nga ajo që ka pohuar Zyberaj.
Naim Murseli, në formularin e deklarimit të pasurisë në Agjencinë Antikorrupsion, më 26.12.2017, ka deklaruar se është këshilltar.
E në këtë vit, ministër i Punëve të Jashtme ishte Behgjet Pacolli.