Prishtinë – Në gjykimin ku Zlatan Arsiq, po akuzohet për krime lufte në Kamenicë gjatë vitit 1999, prokurori special Atdhe Dema, gjatë dhënies së fjalës përfundimtare, ka kërkuar dënimin e tij, kurse mbrojtja lirimin.
Fillimisht, prokurori special Dema gjatë dhënies së fjalës përfundimtare ka deklaruar se nga provat e nxjerra në këtë shqyrtim u dëshmua në mënyrë të plotë se i akuzuari ka kryer veprën penale si në akuzë, duke u vërtetuar në tërësi edhe vendi, koha, dhe mënyra e kryerjes së veprës penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Po ashtu, sipas prokurorit Dema, është vërtetuar në tërësi se i akuzuari veprën penale e ka kryer me dashje dhe ka qenë ai i cili e ka maltretuar fizikisht dhe psiqikisht të dëmtuarin B.M.
Sipas tij, i akuzuari apo mbrojtja e tij për asnjë moment, nuk kanë arritur ta provojnë të kundërtën e asaj që është thënë në akuzë.
“U kuptu që ndodhia ka ndodhë, malltretimi është kryer, keqtrajtimi i një djaloshi të ri në vitin 99 është kryer nga Zlatan Arsiq”, ka thënë prokurori Dema.
Prokurori Dema tha se nga dëshmitë direkte dhe të tërthorta të të dëmtuarit dhe një pjesë të dëshmitarëve i akuzuari Arsiq në mënyrë të saktë është identifikuar si personi i cili ka maltretuar dhe keqtrajtuar të dëmtuarin B.M, duke kërkua nga gjykata që i njëjti të shpallet fajtor dhe t’i shqiptojë dënim me të cilin do të arrihet qëllimi i dënimit.
Kurse, i dëmtuari B.M ka mbështetur fjalën përfundimtare të prokurorit special duke shtuar se krejt ajo çfarë ka ndodhur ka qenë e vërtetë.
Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Zlatan Arsiq, avokati Vaselije Arsiq gjatë dhënies së fjalës së tij përfundimtare tha se Prokuroria Speciale me asnjë provë materiale nuk e ka vërtetuar faktin se i pandehuri ka kryer veprën penale “Krime Lufte”.
Sipas tij, prokuroria nuk e ka mbuluar me asnjë provë, se cilat janë lëndimet e shkaktuara ndaj B.M dhe nuk ka asnjë provë që shtëpia është djegur, e as që Arsiq ka qenë pjesëtar i MPB-së së Serbisë.
Ai tha se i dëmtuari B.M ka dhënë katër deklarata të ndryshme dhe se gjatë hetimeve Prokurorisë i kanë ofruar prova të qarta qe Zlatan Arsiq në kohën e ngjarjes të përshkruar në aktakuzë ka qenë në vend tjetër dhe nuk ka qenë polic serb.
I njëjti tha se i akuzuari Arsiq është i pafajshëm dhe nuk është përgjegjës për akuzat që i vihen në barrë duke kërkuar që i njëjti të lirohet.
“Dëshiroj ta theksoj se Zlatani mjaftueshëm është dënuar, që 11 muaj është në paraburgim, për diçka që nuk e ka bërë”, tha avokati i tij.
Kurse, i akuzuari Arsiq është pajtuar me të gjitha deklaratat e mbrojtjes së tij.
Aktakuza e PSRK-së e ngritur më 28 korrik 2023, ngarkon Zlatan Arsiqin se në mars të 1999-ës para bombardimeve të NATO-s, në Stacionin Policor në Kamenicë, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë serbe, me uniformë të asaj policie e i armatosur, e kishte ndaluar në Kamenicë të dëmtuarin B.M, me veturë të policies, duke iu drejtuar me fjalët “Gde si UÇK’, “Ku po i dërgon këto cigare”, “UÇK-së po ja dërgon”, “tash të tregoj se për kënd i ke blerë cigaret”.
Më pas, thuhet se të dëmtuarin e kanë rrahur me shufër gome, shkelma dhe grushte, duke e torturuar në mënyrë ç‘njerëzore, maltretuar dhe shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe duke e kanosur seriozisht për jetë. E kur i dëmtuari disa ditë pas maltretimit ishte kthyer në shtëpinë nga ku ishte dëbuar dhe e cila i ishte djegur, në oborr i akuzuari e kishte goditur me shuplakë dhe ia kishte vendosur tytën e automatikut në fyt, duke e kërcënuar me vrasje, e më pas policia serbe e kishte liruar atë dhe familjen e tij.
Arsiq akuzohet se gjatë luftës në Kosovë, bashkë me pjesëtarë (tjerë të policisë serbe dhe grupeve paramilitare), ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës me rrethinë, pastaj kanë plaçkur shtëpië dhe me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve ua kanë vënë zjarrin, po morën pjesë në keqtrajtimin e civilëve shqiptarë. Detajet nga aktakuza mund t’i gjeni: KËTU. / BetimipërDrejtësi
Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për krime lufte gjatë vitit 1999 në Kamenicë
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.