No menu items!

Kush u bë e kush u zhgënjye, përmbledhje e kandidatëve për deputetë

“Profën e respektoj dhe e dua shumë, por votën nuk ia kam dhënë.”

Liridon Leci nuk e mbështeti kolegun e tij, por “Profa” i Duelit Sportiv grumbulloi plot 12,366 vota.

Bylbyli u tregua Sokol, duke siguruar ulësen e deputetit.

Nga ana tjetër, një votues i Lëvizjes Vetëvendosje tregoi se e pëlqen këngëtaren Edona Llalloshi, duke thënë se askush tjetër nuk do ta zë vendin e saj në Kuvend. Me gati 27,000 vota, ajo u rendit në top 15-shen e Vetëvendosjes, ndërsa ministrja Rozeta Hajdari nuk arriti as në top 50.

Në Kuvend, Edona Llalloshi do ta ketë pranë edhe Agim Bahtirin, i cili fitoi mbi 15,000 vota.

Një nga shpërthimet më të mëdha të këtyre zgjedhjeve është Faton Peci i Listës Guxo, që e trefishoi rezultatin e tij duke mbledhur 84,000 vota, duke u bërë i treti më i votuar në partinë e Kurtit.

Por rekordin e Vjosa Osmanit nga zgjedhjet e 2021, me 300,000 vota, nuk e arriti as Albin Kurti, i cili këtë herë mori 222,000 vota, rreth 80,000 më pak se Presidentja.
Pas tij u rendit Glauk Konjufca, me 170,000 vota, afërsisht 30,000 më pak se Kurti.

Ndërkohë, Hekuran Murati, Ministër i Financave, e dyfishoi votën e tij duke siguruar mbi 80,000 vota.

Një tjetër fitues i madh është Xhelal Sveçla, i cili nga 10,000 vota në 2021, tani ka grumbulluar 73,000 vota.
Në krahun tjetër, Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka gati gjysmën më pak vota krahasuar me herën e kaluar.

Një nga befasitë më të mëdha të këtyre zgjedhjeve është Xhavit Haliti i PDK-së, i cili për tetë palë zgjedhje radhazi kishte siguruar një ulëse në Kuvend, por këtë herë votuesit e lanë jashtë. Në rrezik janë edhe Hisen Berisha, Ardian Kastrati dhe Hajdar Beqa.

Enver Hoxhaj, që në zgjedhjet e kaluara ishte bartës i listës me mbi 100,000 vota, tani është i gjashti në PDK me vetëm 23,000 vota.
Në të kundërtën, Bedri Hamza, që kësaj here ishte kandidat për kryeministër, mori mbi 122,000 vota, duke dalë si më i votuari në PDK.

Pas tij vjen Memli Krasniqi, me gati 70,000 vota, një rritje gjashtëfish krahasuar me vitin 2021.
Në top 5-shen e PDK-së janë gjithashtu Uran Ismaili (29,000 vota), Vlora Çitaku (28,000 vota) dhe Sala Jashari (27,000 vota), një 25-vjeçare e panjohur deri tani, por që befasoi të gjithë.

Në LDK, Lumir Abdixhiku e çoi partinë përpara duke fituar mbi 87,000 vota, një rritje e ndjeshme nga 25,000 vota në 2021.
Pas tij, më e votuara është Doarca Kica-Xhelili, me 35,000 vota.
Në mesin e më të votuarve në LDK janë edhe Hykmete Bajrami (33,000 vota), Kujtim Shala (29,000 vota), Avdullah Hoti (24,000 vota) dhe Lutfi Haziri (23,000 vota).

Koalicioni AAK-Nisma siguroi tetë deputetë, pa ndonjë surprizë në listën e të votuarve.
Ramush Haradinaj, me mbi 34,000 vota, prin listën, i ndjekur nga Daut Haradinaj (20,000 vota) dhe Fatmir Limaj (19,000 vota).

Deputetja më e votuar e AAK-së është Time Kadrijaj me 12,000 vota, ndërsa Bekë Berisha dhe Lahi Brahimaj e mbyllin pesëshen kryesore.

Këto rezultate janë bazuar në numërimet paraprake të publikuara nga mediat, ndërsa numërimi zyrtar ende nuk ka përfunduar.

Raporti i RTVD.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU

Raporto24
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.