No menu items!

Orav: Mbi 880 milionë euro janë në dispozicion për zbatimin e Agjendës së Reformave të Kosovës

Zyra e Bashkimit Evropian ka shënuar sot Ditën Ndërkombëtare të OJQ-ve, duke dhënë dhe një lajm se janë mbi 880 milionë euro në dispozicion për zbatimin e Agjendës së Reformave të Kosovës.

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, theksoi rëndësinë e organizatave të shoqërisë civile dhe mediave në fuqizimin e demokracisë dhe procesin e integrimit evropian të Kosovës.

Ai vlerësoi rolin e tyre si partnerë kyç dhe theksoi se Kosova është me fat që i ka.

“Sot jemi këtu, në Ditën Botërore të OJQ-ve, për t’u dhënë rëndësinë e merituar organizatave të cilat udhëhiqen nga interesi publik dhe e mira e përbashkët, atyre që sjellin ndryshime shoqërore dhe avokojnë për të drejtat dhe mirëqenien e popullsisë. Sot kemi ftuar organizatat që kanë marrë një grant nga BE-ja në vitin 2024. Megjithatë, BE-ja ka mbështetur një numër të madh organizatash të shoqërisë civile dhe mediave gjatë dy dekadave të fundit. Në mënyrë të pashmangshme, ju jeni gjithashtu një partner i paçmuar në procesin e anëtarësimit të Kosovës në BE, jo më pak për faktin se keni një aftësi të jashtëzakonshme për të ndjerë pulsin dhe nevojat e shoqërisë në çdo kohë. Kosova është me fat që ju ka”, ka deklaruar ai.

Orav gjithashtu u shpreh i vetëdijshëm për ndikimin e pezullimit të ndihmës amerikane në sektorin e OJQ-ve në Kosovë.

Ai përmendi Planin e Rritjes së BE-së, që përfshin 880 milionë euro për reformat në Kosovë, duke njoftuar se pas ratifikimit nga Kuvendi, BE-ja do të lëshojë një parafinancim deri në 7% të shumës totale.

“Jam i vetëdijshëm se vendimi befasues i administratës amerikane për të pezulluar një pjesë të madhe të ndihmës së saj në mbarë botën ka një ndikim të madh në programet e rëndësishme që zbatohen nga sektori i OJQ-ve në Kosovë. Për ta bërë këtë, kemi paraqitur Planin e Rritjes, i cili inkurajon reformat e lidhura me BE-në. Mbi 880 milionë euro janë në dispozicion për zbatimin e Agjendës së Reformave të Kosovës. Pas ratifikimit të marrëveshjeve për financim dhe kredi nga Kuvendi i Kosovës, BE-ja do të lëshojë parafinancim deri në 7% të shumës totale të alokuar”, ka theksuar Orav./EO

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU

Raporto24
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.