Deputetja e re e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kosovare Murseli, ka reaguar pas spekulimeve në media dhe rrjete sociale që e lidhnin me një mundësi kalimi në Lëvizjen Vetëvendosje (LVV).
Këto zëra u shfaqën pas pjesëmarrjes së saj në homazhet për 26-vjetorin e rënies së dëshmorëve dhe martirëve të luftës në Kaçanik, ku ajo u pa pranë kryeministrit Albin Kurti.
Në një deklaratë për emisionin Debat Plus, Murseli sqaroi se ishte e pranishme në homazhe së bashku me kolegët e saj nga PDK-ja dhe theksoi se nuk ka asgjë të pazakontë në fotografitë që u publikuan.
“Unë jam e Kaçanikut dhe nuk ka asgjë të veçantë në fotografi. Thjesht kemi qenë të radhitur bashkë me deputetë të PDK-së. Unë kam bindjen dhe qëndrimin tim politik dhe i qëndroj besnike elektoratit tim, patjetër PDK-së,” tha ajo.
Murseli përmendi se gjatë homazheve ka qëndruar përkrah deputeteve të tjera të partisë së saj, Ganimete Musliu dhe Ariana Shoshi, dhe hodhi poshtë çdo aludim për ndonjë afrim me LVV-në.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti kishte ftuar kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku për takim konsultues, në përpjekje për të formuar qeverinë.
Por në përgjigje, Abdixhiku ka thënë se gjuha e LVV-së karshi LDK-së ka pamundësuar bashkëpunimin e mundshëm në mes të këtyre dy taborëve politikë, për formimin e Qeverisë së re.
Në reagimin e tij, Abdixhiku ka bërë të ditur se ka refuzuar ftesën e Kurtit për shkak të zotimeve të bëra ndaj elektoratit gjatë fushatës dhe pas certifikimit të rezultateve.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, LVV-ja mori 48 deputetë – jo mjaftueshëm për të qeverisur e vetme.