Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në një takim lamtumirës ambasadorin e Italisë në Kosovë, z. Antonello De Riu, me rastin e përfundimit të mandatit të tij diplomatik.
Në këtë takim lamtumirës, Presidentja Osmani e ka falënderuar ambasadorin De Riu për kontributin e tij të çmuar gjatë mandatit në Kosovë dhe ka vlerësuar lart angazhimin e tij për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. Ajo i ka uruar suksese të mëtejshme në angazhimet e tij të ardhshme diplomatike, duke theksuar se miqësia dhe partneriteti ndërmjet Kosovës dhe Italisë do të mbeten gjithmonë të qëndrueshme dhe të bazuara në vlera të përbashkëta.
Presidentja Osmani theksoi se mbështetja e Italisë mbetet thelbësore për Kosovën në rrugëtimin e saj drejt integrimit euroatlantik. Ajo nënvizoi nevojën për angazhim të mëtejshëm të Italisë si një partnere strategjike, veçanërisht në forcimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.