No menu items!

Presidentja Osmani dekoron me medaljen “Nderi i Republikës së Kosovës” të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar me medaljen “Nderi i Republikës së Kosovës” të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Në një ceremoni të organizuar në objektin e Presidencës, me këtë medalje u nderuan Vasfije Krasniqi-Goodman, Shyrete Tahiri- Sylejmani dhe Ramadan Nishori, të mbijetuar të dhunës seksuale që kanë folur publikisht për mizoritë që kanë përjetuar nga forcat serbe gjatë luftës.

Presidentja Osmani vlerësoi guximin e tyre për të dëshmuar dhe ndarë me publikun përvojat e rënda, duke theksuar se rrëfimet e tyre janë të një rëndësie të jashtëzakonshme për drejtësinë dhe të vërtetën historike të Kosovës.

Ajo tha se ata janë dëshmia e gjallë dhe shtylla jonë e luftës për drejtësi.

Ka momente ku fjalët nuk mjaftojnë për të shprehur mirënjohjen, siç ka edhe njerëz që me guximin e tyre të lënë pa fjalë. Sot jemi këtu për t’ju përulur me respektin më të thellë përballë tre individëve që janë më shumë se thjesht individë, sepse me dhimbjen e tyre kanë ndriçuar rrugën e drejtë së vërtetës, drejtësisë dhe shpresës. Ju jeni zëri që keni zgjedhur dinjitetin, jeni zëri i të mbijetuarve që kanë zgjedhur heshtjen. Ky është një premtim i gjallë se historia nuk do t’i harrojë,” tha ajo.

Ndërsa, i dekoruari Nishori tha se ndihet mirë që është përkrahur nga populli.

“E përshëndes gjithë popullin tonë që më ka përkrahur këto ditë,” tha shkurt ai.

Krasniqi bëri thirrje që viktimat të flasin hapur dhe të kërkojn drejtësi.

“Dua të falënderoj për qasjen, angazhimin. Të dashura viktima, ju lutem, ku do që jeni, ka ardhur koha të kërkojmë drejtësi. Lirojeni shpirtin që të mos ia falim Serbisë krimin që ka kryer,” tha ajo.

Tahiri-Sylejmani tha se pa drejtësi nuk ka paqe.

“Kur të kemi drejtësi, kemi paqe. Faleminderit për kurajën që na jepni,” tha ajo.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU

Raporto24
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.