Kostoja e punimeve të ndërprera në Prishtinë, miliona euro në rrezik nga vendimet e gjykatave
Kostoja e punimeve të ndërprera në Prishtinë, miliona euro në rrezik nga vendimet e gjykatave
Para 8 min
Dëgjo këtë artikull tani…
Kostoja e punimeve të ndërprera në Prishtinë, miliona euro në rrezik nga vendimet e gjykatave
Komuna e Prishtinës ka të bllokuara mbi 25 milionë euro fonde për projekte kapitale të cilat janë ndërprerë para nisjes së punimeve.
Ndër to janë Ishulli i Arbërisë, nënkalimi në “Agim Ramadani” dhe zgjerimi i rrugës “Xhorxh Bush”.
Ndërtimi i ishullit të Arbërisë në lidhje me Pallatin e Rinisë do t’i kushtojë komunës së Prishtinës 3 milionë e 500 mijë euro, prej të cilave mbi 1 milion janë paguar për të deri tani.
Ndërtimi i nënkalimit te rruga “Agim Ramadani”, është një tjetër projekt me vlerë prej 4 milionw e 100 mijë eurosh, ndërsa 18 milionë të tjera për zgjerimin e sheshit “Xhorxh Bush”.
Në total, janë mbi 25 milionë euro që i kanë mbetur pezull Komunës së Prishtinës, sipas raporteve vjetore, me ndërprerjen e punimeve në këto projekte, pa numëruar pagesat e projektimit, konsultimet, ekspertët dhe jo vetëm.
Pavarërisht rrethanave, ato para Komuna nuk mund t’i shfrytëzoj askund tjetër.
“Momentalisht s’ka dëmtim të buxhetit të buxhetit publik sepse s’ka nisur punë për t’u bërë pagesa për to. Në momentin kur janë dhënë kontratat, paraprakisht kur janë iniciuar procedurat e prokurimit për shpërblimin me to, është bërë zotimi i mjeteve. Për të dyja ka mjete të zotume dhe kjo nuk mundet me u përdor në asnjë projekt tjetër. Përderisa këto projekte janë valide nuk munden me u prek, kur nisin kryen edhe pagesat. Kur të hapësh procedurë tenderimi, të kërkohet t’i kesh paratë për atë punë. S’mundesh ti ndryshosh deri të bëhet rishikimi i buxhetit por kur ka nënshkrim të parave, për atë projekt shkojnë. Vetëm nëse shkëputet kontrata. Nëse shkëputet mund të bëhet rizotimi i mjeteve por s’ka indicie të tilla. Po u shkëput çështja mund të shkojë në gjykatë, me e paditë por nuk ka obligime kontraktuale aty për aty. Shkëputja bëhet për disa arsye. Nëse njëra ndër arsyet është valide, Ministria ta shkëput kontratën, nuk të obligohet hiç por operatorët ekonomik pretendojnë se bëhet për faj të komunës e për rrjedhojë, arrin në gjykatë”, ka thënë Ardit Dragusha, hulumtues i prokurimit në “Demokracia Plus”.
Në rast të arritjes së lëndës në Gjykatë, nëse kjo e fundit sheh valide ankesat e operatorit, mund të detyrojë komunën që t’ia paguaj detyrimet.
Nga komuna, thonë se ndërprerja e punimeve në dy prej projekteve, po bëhet qëllimshëm.
“Vlera përafërisht e projekteve të bllokuara është afër 25 milionë euro që i kemi të ngrira si pasojë e mosveprimit në terren, sepse procedurat si projektimi, prokurimi kanë përfunduar. Është çështje e operatorit se si e përcakton ai të drejtën e tij të kërkuar në gjykatë, kjo u takon atyre. Është në të drejtën e tyre të kërkojnë pjesën për të cilën zotohet një institucion për të ia përcjell e mbetet plotësisht në dorë të gjykatës. Me bllokadën që po bëhet për dy rastet është bllokadë edhe në kuptimin politik, edhe në atë financiar edhe të zbatimit të projekteve. Do t’i shtjerrim të gjitha mundësitë për t’i zgjidhur sepse në fund të fundit, pasojat do t’i kenë qytetarët”, ka thënë Donat Lushaku, zëdhënës në Komunën e Prishtinës.
Deri në një zgjidhje konkrete me një përgjigje përfundimtare nga Ministria e Kulturës ose Gjykata Kompetente, 25.600.000 milionë euro do mbesin në letër.
Nga ana tjetër, javën e kaluar nga ministria në fjalë u paralajmëruan hetime ndaj Kryetarit Rama, kërkesë që sipas tyre tanimë është dorëzuar në organet kompetente.