Një rast i përdorimit të armëve zjarri dhe mbajtjes pa leje të tyre është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Kashtanjev të komunës së Shtërpcës.
Sipas Policisë së Kosovës, më 20 prill 2025, rreth orës 00:40, stacioni policor në Shtërpcë ka pranuar informacione për të shtëna armësh në këtë zonë. Dy njësi patrulluese janë nisur menjëherë në drejtim të vendngjarjes, ku kanë hasur një grup prej gjashtë personash që po qëndronin për piknik.
Gjatë kontrollit në terren, policia ka identifikuar dy persona të dyshuar, D. F. (40 vjeç) dhe U. A. (25 vjeç), të dy meshkuj kosovarë, të cilët dyshohet se kishin përdorur armët.
Tek të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar: Një pushkë gjahu me 3 fishekë dhe 5 gëzhoja, një revole me 2 karikatorë dhe 23 fishekë, një revole tjetër me 1 karikator dhe 5 fishekë, dy sopata.
Të dyshuarit janë shoqëruar në stacionin policor në Shtërpcë për intervistim, dhe me vendim të prokurorit të shtetit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti mbetet nën hetime.
Policia ka theksuar rëndësinë e raportimit të menjëhershëm të rasteve të tilla, si dhe ka rikujtuar se mbajtja dhe përdorimi i armëve pa autorizim përbën vepër penale që ndëshkohet sipas ligjit./Telegrafi/