Një atentat me armë zjarri ndaj dy të rinjve në mes të qytetit të Gjakovës ka zbuluar jo vetëm një tentim të rrezikshëm për vrasje, por edhe një rrjet të ndërlidhur të të dyshuarve me të kaluar kriminale, përfshirje të lëndëve narkotike dhe – së fundmi – edhe zyrtarë policorë nën hetim, raporton Gazeta Sinjali.
Por, çfarë ndodhi saktësisht dhe si ndodhi ngjarja? – Sinjali sjellë të gjitha detajet e rastit
20 janar 2025 – Plumba në rrugë, shpëtojnë për mrekulli dy të rinj
Rreth orës 16:54, në rrugën “Beqir Kastrati”, afër lokalit “Kids Center”, dy të rinj – Ismajl Kasumaj (rreth 19-vjeçar) dhe Binak Kabashaj (rreth 21-vjeçar) – sapo kishin hipur në veturën e tyre Audi A6, kur u qëlluan nga një veturë në lëvizje, Golf 7, ngjyrë gri, me targa 07-454-EF.
Fatmirësisht, ata nuk pësuan lëndime dhe arritën ta raportojnë rastin në stacionin policor.
Në vendin e ngjarjes, njësitë relevante gjetën gëzhoja, ndërsa vetura e sulmuesve u gjet e braktisur në sheshin “Agron Rama”.
Identifikimi i tre të dyshuarve – fillimi i ndjekjes penale
Pas hetimeve intensive, Policia identifikoi tre të dyshuar:
Enrik Berisha (rreth 27-vjeçar)
• Simon Tahiri (rreth 26-vjeçar)
• Bellmando Pali (rreth 20-vjeçar) – i njohur për të kaluarën e tij kriminale.
Njëri nga ta u arrestua në ditët në vijim, ndërsa më 22 shkurt 2025, njësitë e hetimit lokalizuan dhe arrestuan edhe Berishën dhe Tahirin në Fushë Kosovë
Ata u ndaluan për 48 orë dhe ndaj tyre filluan procedurat për “Vrasje në tentativë”. Si prova materiale, u sekuestruan dy telefona dhe dy fishekë.
Por, çfarë ndodhi tutje?
Zbulime të reja – Drogë dhe elementë të tjerë kriminalë
Më 23 prill 2025, pas një urdhërese të Gjykatës Themelore në Gjakovë, Policia kreu kontroll në shtëpinë e Bellmando Palit.
Aty u gjet një sasi e pa matur e marihuanës, si dhe një peshore digjitale, çka e lidh rastin me veprimtari të dyshuar narkotike.
Zgjerohen përmasat: Arrestohet një polic, tre të tjerë pezullohen
Zhvillimet e fundit kanë zbuluar një tjetër dimension të rëndë të këtij rasti.
Një zyrtar policor është arrestuar dje në lidhje me këtë rast, ndërsa tre janë suspenduar – përfshirë edhe të arrestuarin – nën dyshimet për bashkëpunim me të dyshuarit, ndihmë për t’iu shmangur ndjekjes, apo mbulim të veprimeve kriminale.
Hetimet janë duke u thelluar edhe për rastet e tjera të mundshme, në të cilat mund të jetë përfshirë e njëjta strukturë.
Dosja e rëndë që po hap plagë të thella
Rasti i tentimvrasjes në Gjakovë po merr përmasa të rënda.
Jo vetëm për brutalitetin e aktit dhe të përfshirët me të kaluar kriminale, por edhe për ndërlidhjen alarmante me zyrtarë të sistemit të rendit dhe drejtësisë.
Hetimet vazhdojnë nga Sektori Rajonal i Hetimeve – DRP Gjakovë, ndërsa përfshirja e Inspektoratit Policor të Kosovës ka hapur rrugën për përgjegjësi më të gjera brenda sistemit.