Komuna e Prishtinës sot nga ora 10:00 do të mbajë seancë të jashtëzakonshme, ku pikë e vetme e rendit të ditës është: Plani Zhvillimor Komunal (PZHK).
Kryetari Përparim Rama thotë se Plani Zhvillimor Komunal po vazhdon të pengohet, derisa ka bërë thirrje që të votohet plani, transmeton Telegrafi.
“Pas një viti e gjysmë bllokimesh, Plani Zhvillimor Komunal (PZHK) vazhdon të pengohet – pikërisht nga ata që nuk po duan që qytetarët të kenë qasje, informacion dhe të drejtë fjale për të ardhmen e qytetit”, ka theksuar Rama.
Mes tjerash, Rama ka shkruar se “Njoftojmë qytetarët e Prishtinës se sot, në Kuvendin Komunal të Prishtinës, pritet të votohet për nxjerrjen në shqyrtim publik të Planit Zhvillimor Komunal (PZHK). Ky votim nuk është për miratimin përfundimtar të planit”.
“Sot votohet që ky dokument të bëhet publik – që qytetarët të kenë mundësinë ta shohin dhe të japin komente, propozime apo vërejtje”, theksoi ai.
Rama thekson se nëse nuk votohet sot, qytetarëve u mohohet e drejta të jenë pjesë e një procesi që vendos për lagjet, infrastrukturën, gjelbërimin dhe zhvillimin urban të Prishtinës.
“Ky është momenti për të treguar që duam një qeverisje të hapur, të ndershme që dëgjon qytetarin dhe të shohim qartazi kush po voton për jo-transparencë, kush po bllokon”, pohoi ai.
Ndryshe, edhe Lëvizja Vetëvendosje – Qendra në Prishtinë ka reaguar pasi kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka ftuar një seancë të jashtëzakonshme për ditën e sotme.
LVV ka njoftuar se do ta kundërshtojë Planin Zhvillimor Komunal.
“Ky është tentimi i radhës për ta kontrabanduar dokumentin kryesor komunal mbi zhvillimin e qytetit, për të cilin Ministria e Mjedisit ka konstatuar qartë shkelje të shumta procedurale dhe ligjore”, thuhet në reagimin e LVV-së./Raporto24/