Ishte viti 1988-89 kur e njoha për herë të parë si Fehë, në shtëpinë tonë bazë të ilegales. Ishte gjithmonë i qetë, por i vendosur. Vinte vonë gjithmonë i fundit. Me një bukë në dorë, revolen në brez… dhe siç më kujtohet, po gjithmonë me të njëjtën jakne.
Jakna e tij, ndoshta jo shumë e vjetër, ishte bërë si pjesë e trupit e mbante me përkushtim, si një dëshmi e rrugës që kishte zgjedhur. E veshur nga koha, por e mbushur me guxim dhe qëndresë.
Ajo jakne shihet edhe në foto që më ka mbetur thellë në kujtesë, ishte bërë si një flamur i heshtur i luftës së tij.
Nëna ime e priste gjithmonë dhe i thoshte me një dashuri që vetëm nënat dinë ta shprehin:
Pse po vjen gjithmonë me bukë në dorë, o Fehë? Mendon se s’kemi bukë ne?
Ai buzëqeshte me thjeshtësinë e tij të zakonshme:
Jo, loke, por vij i fundit… dhe s’dihet a ka mbetur ndonjë copë.
Nuk kërkoi kurrë lavdi. Nuk u ankua kurrë për vështirësitë.
Kështu ishte Fadili. Njeri i sakrificës, i heshtur në fjalë, por i madh në vepra. Deri në frymën e fundit, mbeti i përkushtuar ndaj idealeve të lirisë, për të cilat luftoi pa u ndalur.
Ai la pas një kujtim të paharruar një histori që s’harrohet, një frymë që jeton ende në zemrat tona.
Lavdi përjetë jetës dhe veprës së Fadil Vatës!