Komuna e Prishtinës ka rinisur sot punimet në sheshin “Xhorxh Bush”, pavarësisht ndalimit që është bërë nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore.
Në nisjen e këtyre punimeve prezent ishte edhe vetë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e po ashtu edhe zyrtarë të Policisë së Kosovës.
Kujtojmë se punimet në këtë shesh janë ndaluar dy herë radhazi nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore, përderisa Komunës i është kërkuar që lënda për pajisje me leje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM) të plotësohet.
Projekti i Komunës prej 18.4 milionë euro, nuk është miratuar nga organet e trashëgimisë kulturore.
Rreth një muaj më parë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) kishte njoftuar se janë vendosur shenjat zyrtare për ndalimin e punimeve në rrugën “Xhorxh Bush” në Prishtinë, për shkak të ndërhyrjeve të paautorizuara në një zonë të mbrojtur të trashëgimisë kulturore.
Sipas MKRS-së, Inspektorati për Trashëgimi Kulturore ka pranuar informacion për punime në këtë zonë, e cila gjendet brenda Qendrës Historike të Prishtinës.
Pas verifikimeve nga QRTK Prishtina dhe IKMM, është konstatuar se Komuna e Prishtinës dhe drejtoritë e saj përkatëse nuk kanë kërkuar leje për kryerjen e këtyre punimeve, siç kërkohet me ligj. /Telegrafi