Punimet për transformimin e sheshit “Xhorxh Bush” në Prishtinë janë kthyer në pikë përplasjeje mes institucioneve lokale dhe atyre qendrore. Komuna e Prishtinës kishte nisur muaj më parë punimet, duke i cilësuar ato si pjesë e një transformimi urban. Megjithatë, punimet u ndërprenë nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore.
Pas disa ditësh, komuna rifilloi punimet, por ato u ndërprenë sërish të martën. Mospajtimi lidhet me mungesën e miratimit për projektin, i cili sipas Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës (IKMM), rrezikon integritetin e monumenteve përreth për shkak të ndërtimit të planifikuar të strukturave të reja, transmeton Telegrafi.
Në një shkresë zyrtare drejtuar Komunës së Prishtinës, IKMM ka kërkuar që dokumentacioni i projektit të plotësohet dhe të rishikohet ndikimi që ai mund të ketë në trashëgiminë kulturore.
Drejtori i Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Imer Hakaj, tha se ka tejkalim të autorizimeve.
“Urojmë që nga sot ata të qëndrojnë edhe jashtë orarit dhe të kryejnë punën e vet. Kjo komunë ka dërguar një kërkesë dhe obligohet të pres kërkesën për plotësim të dokumentacionit dhe të tërhiqet prapa, sepse është kaluar në personale. Kanë nisur që të më shkruajnë njerëzit edhe privatisht. Ju garantoj që asnjëherë askush nga niveli qendror nuk më ka thirrur. Jo me këtë qasje nuk kam ardhur të shtyhem personalisht. Për çdo gjë ju ftoj për vendimin, sipas hartave që i kemi, jemi të njoftuar që ka tejkalim të autorizimeve”, tha Hakaj.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar të martën pas ndërprerjes së përsëritur të punimeve në sheshin “Xhorxh Bush”, duke akuzuar Qeverinë për ndërhyrje të paarsyeshme dhe pengim politik të projekteve të kryeqytetit.
Sipas Ramës, ndërhyrja është bërë me presion nga Ministria e Kulturës dhe Ministria e Punëve të Brendshme, ndërsa në vendngjarje është përfshirë edhe policia.
Ai tha se ndërprerja është arsyetuar me pretendimin se një pjesë e rrugës konsiderohet trashëgimi kulturore, ndërsa pjesa tjetër jo.
“Gjysma e asfaltit qenka trashëgimi kulturore, gjysma tjetër e asfaltit jo! Me këtë arsyetim i paskan dërgu sot – për me i ndalu punimet në sheshin ‘Xhorxh Bush’,” ka shkruar Rama në një reagim publik.
Më herët, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama kishte deklaruar se ky projekt do të prekë disa zona kyçe të qytetit, përfshin edhe sheshin “Zahir Pajaziti” dhe një pjesë të Bibliotekës Kombëtare, duke ofruar një ndryshim të dukshëm për infrastrukturën dhe pamjen e qytetit.
Rama kishte deklaruar se punimet do të zhvillohen në tri faza, duke theksuar se kjo do të ndihmojë që qytetarët të mos ndihen të bllokuar gjatë punimeve.
Projekti ishte planifikuar të përfundojë pas 240 ditëve të punës, dhe ky projekt kap shifrën prej 18.1 milionë eurosh. /Telegrafi/