Punëtorët anembanë botës dolën në rrugë për të shënuar 1 Majin, duke kërkuar kushte më të mira pune dhe për të mbrojtur të drejtat e tyre.
Megjithatë, solidariteti i punëtorëve nuk u kufizua vetëm në kërkesat për të drejtat e tyre, por u kërkua edhe paqe për Palestinën.
Në Berlin, pjesëmarrësit marshuan me një pankartë ku shkruhej “Solidaritet përgjithmonë! Milionat janë më të fuqishëm se miliarderët – punëtorët e Teslës dhe IG Metall-it” (Sindikatës Industriale të Metalurgjisë). Gjithashtu, u mbajtën pankarta që kërkonin ndalimin e luftës në Rripin e Gazës.
Në Spanjë, në Sevilla, tubimi u organizua me moton “Të mbrojmë atë që kemi fituar, të fitojmë të ardhmen”, ndërsa në Bilbao protestuan punëtorët e fabrikës Bridgestone për shkak të paralajmërimeve për largime nga puna.
Anëtarët e Sindikatës së Përgjithshme Tuniziane të Punës (UGTT) morën pjesë në demonstratat e organizuara me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punës në qytetin e Tunisit.
Në protestat në Torino, Itali, përveç të drejtave të punëtorëve, në fokus ishin edhe kërkesat për paqe në Palestinë. U parakaluan edhe kukulla satirike të kryeministres italiane, Giorgia Meloni dhe Donald Trumpit.
“Mbroni palestinezët nga lufta gjenocidale e SHBA-së/Izraelit. Të gjithë së bashku kundër ndalimit dhe përjashtimit të protestave pro-palestineze!”, ishin disa nga mbishkrimet.
Në Stamboll, protestat u organizuan si çdo vit, por pati përplasje mes policisë dhe protestuesve, dhe disa persona u arrestuan. /Raporto24/