Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda dhe Nezir Kraki i Lëvizjes Vetëvendosje, janë përplasur për bllokadën e sërishme në konstituimin e Kuvendit dhe për takimin e sotëm ndërmjet Albin Kurtit dhe Memli Krasniqit.
Teksa po diskutohej për propozimin e kryesuesit që të shkohet me votim të fshehtë, Gruda ka thënë se kjo është një shkelje e rregullores, teksa Kraki ka thënë se Gjykata Kushtetuese e lejon votimin e fshehtë.
“Mos ma përmend takimin e liderëve si shkelje e rregullores apo jo, sepse ajo ka ndodhur jashtë seancës. Kryesuesi i seancës e ka një detyrim, me implementu skenarin që ia përgatit sekretaria dhe rendin e ditës. Ai nuk e ka në rend dite me e hedh në votim një çështje”, ka thënë Gruda, Kanal10.
“Ai e ka në rend të ditës me u arrit votimi për kryetar”, ka thënë Kraki.
“Por, jo me e ndërru mënyrën e votimit”, tha Gruda.
Ndryshe, deputetët dështuan sot për të nëntën herë radhazi në përpjekjen e tyre për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës.
Më 1 maj, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), kërkoi që votimi për kryetar të Kuvendit të bëhet në mënyrë të fshehtë, gjë që u refuzua nga partitë e tjera.
Procesi ka ngecur prej javësh pasi partia fituese, LVV, nuk po arrin t’i sigurojë votat e nevojshme për kandidaten e saj për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Ajo shihet nga disa parti parlamentare si “figurë përçarëse”, por Vetëvendosje ngul këmbë se ajo është kandidate meritore.