Një incident fizik ka ndodhur sot në Prizren, ku janë përfshirë dy civilë dhe një zyrtar policor jashtë detyrës. Gazeta Sinjali ka mësuar se polici në fjalë është Fatijan Shehu, i cili dyshohet se së bashku me vëllain e tij ka sulmuar një qytetar, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:00, në rrugën “5 Maji” – një zonë e frekuentuar e qytetit – ku patrulla policore ka ndërhyrë menjëherë për të qetësuar situatën.
Lajmi është konfirmuar edhe nga zëdhënësi i Policisë së Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili bëri të ditur se:
> “Patrulla policore ka takuar të dyshuarit E. B. nga njëra anë dhe vëllezërit B. Sh. dhe F. Sh., ky i fundit zyrtar policor. Pas një mosmarrëveshjeje, të tre janë përfshirë në një përleshje fizike.”
Rasti është marrë në trajtim nga hetuesit policorë, Prokuroria e Shtetit, si dhe Inspektorati Policor i Kosovës, të cilët tashmë kanë filluar procedurat përkatëse.
Sipas Prokurorisë, ngjarja është kualifikuar si “Lëndim i lehtë trupor”, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në vazhdim.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë rast prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.