- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me fermerët në Dimal të Beratit, prezantoi një sërë premtimesh për mbështetje të fuqishme ndaj bujqësisë dhe zonave rurale. Ai deklaroi se subvencionet bujqësore do të rriten nga 32 në 230 milionë euro, për ta bërë bujqësinë shqiptare konkurruese me vendet e rajonit.
Berisha e quajti këtë një zotim solemn për të mbështetur punën e vështirë të fermerëve dhe akuzoi qeverinë për diskriminim financiar ndaj këtij sektori jetik. Ai premtoi gjithashtu që subvencionet do të jepen direkt për prodhimin, ndërsa nafta për fermerët do të shitet me çmim kostoje.
Në kuadër të programit të Partisë Demokratike dhe Aleancës për Shqipërinë Madhështore (PD–ASHM), Berisha u zotua për një revolucion në fshat: pensionet nuk do të jenë më nën 200 euro, do të shpërndahet karta e konsumatorit për rimbursimin e TVSH-së, dhe do ndalohen inputet bujqësore të palejuara në BE. Ai theksoi rëndësinë e mbrojtjes së shëndetit përmes ndëshkimit të përdorimit të pesticideve të rrezikshme.
Kryedemokrati premtoi gjithashtu dyfishim të buxhetit për bujqësinë dhe shëndetësinë, si dhe investime të mëdha në infrastrukturën rurale – duke përfshirë rrugët, ujësjellësin, energjinë elektrike, shkollat dhe qendrat shëndetësore.
Në fushën e shëndetësisë, Berisha njoftoi se do të krijohet një listë barnash të rimbursueshme sipas modelit italian dhe do të mbyllet rruga për abuzimet me urgjencat dhe spitalet private.
Në përmbyllje, ai premtoi rroga minimale prej 1500 euro për mësuesit, klasa me jo më shumë se 25 nxënës, heqjen e mesatares si kriter për universitetin dhe mbulim të sigurimeve shoqërore për të rinjtë që punësohen pas diplomimit./Raporto24/