Artisti Xuxi ka folur pa doreza në një intervistë të fundit, duke ndarë me publikun përvojën e tij në edicionin e fundit të Big Brother VIP Kosova. Ai ka qenë i drejtpërdrejtë për motivin që e shtyu të bëhej pjesë e formatit të njohur televiziv – e që sipas tij nuk kishte të bënte me famën.
“Kur kam hyrë, kam thënë që unë kam hy këtu jo për t’u bërë i famshëm, po për të fituar çmimin, për shkak të nevojës financiare. Dhe 200 mijë euro për tre muaj, problem është t’i fitosh,” u shpreh Xuxi, duke treguar hapur sfidat ekonomike që po përjetonte.
Megjithëse kishte ndërtuar një profil të njohur para hyrjes në shtëpinë e famshme, Xuxi pranon se eksperienca në Big Brother VIP e ka ndryshuar mënyrën se si perceptohet nga publiku, veçanërisht nga të rinjtë.
Ajo çfarë ka bërë ky format, që një orë më vjen mirë, një orë më vjen keq, është që fëmija 5-6 vjeç e deri në moshën 25-28-vjeçare më njohin dhe më përshëndesin. Ky target është shumë i madh tek ne, sepse jemi një popull me moshë mesatare shumë të re,” tha ai.
Deklaratat e tij po marrin vëmendje në rrjete sociale, teksa shumë ndjekës vlerësojnë sinqeritetin e tij për motivet reale që qëndrojnë pas pjesëmarrjes në spektaklin më të ndjekur në vend.