Të paktën 15,000 punonjës të USDA (Departamenti i Bujqësisë i SHBA-së) kanë pranuar një ofertë nga administrata e Donald Trump për të lënë punën e tyre.
Bëhet e ditur se largimet masive përfaqësojnë një reduktim të kapacitetit të USDA, departamenti që menaxhon programet kryesore federale të të ushqyerit, sigurinë ushqimore, kreditë e fermave dhe projektet rurale.
Në raundin e parë të dorëheqjeve i cili filloi në janar, aplikuan 3,877 punonjës, ndërsa në raundin e dytë 11,305 pranuan ofertën.
Programi i lejon punonjësit të japin dorëheqjen, por të vazhdojnë të marrin pagën e tyre deri në fund të shtatorit.
Edhe zëdhënësi i USDA-së Seth Christensen konfirmoi shifrat në një email zyrtar, shkruan Politico, përcjell Telegrafi.
Dorëheqjet përfaqësojnë rreth 15% të fuqisë punëtore totale të USDA dhe departamenti planifikon të shkurtojë deri në 30,000 vende pune, duke përfshirë shkurtimet e planifikuara të detyruara.
Shumë punonjës thonë se morën vendimin e vështirë për t’u larguar sepse nuk duan më të punojnë në atë që ata thonë se është një “klimë mbikëqyrjeje dhe frike”.
Raportohet se administrata Trump ka pushuar më parë mijëra punonjës në provë, të cilët më vonë ka kërkuar t’i ripunësojë.
Ndryshe, rreth 555 punonjës të Shërbimit të Sigurisë Ushqimore dhe Inspektimit vendosën të largohen.
Më shumë se 1,000 punonjës të Agjencisë së Shërbimit të Fermës dhe zyrave të qarkut gjithashtu do të lënë punën e tyre, megjithëse Ministrja e Bujqësisë Brooke Rollins tha se dorëheqjet e tyre nuk do të pranohen.
Gjithashtu largohen edhe 2408 punonjës të Shërbimit të Ruajtjes së Burimeve Natyrore, i cili ndihmon fermerët të menaxhojnë tokën dhe bagëtinë.
Shërbimi Pyjor i SHBA-së është goditur më rëndë, me më shumë se 4000 punonjës që kanë lënë punën e tyre përmes të njëjtit program.
Administrata Trump ka njoftuar tashmë shkurtime në buxhetin e Shërbimit Pyjor dhe transferimin e detyrave të saj në lidhje me zjarret në një agjenci të re federale deri në vitin 2026.
Gjithashtu largohen 1300 punonjës të Shërbimit Shëndetësor të Bimëve dhe Kafshëve, 1255 nga Shërbimi i Kërkimeve Bujqësore, 78 nga Shërbimi i Kërkimeve Ekonomike, 54 nga Instituti Kombëtar i Ushqimit dhe Bujqësisë dhe 243 nga Shërbimi Kombëtar i Statistikave Bujqësore.
Të paktën 498 punonjës po largohen nga Shërbimi i Ushqimit dhe Ushqyerjes, i cili drejton 16 programe ushqimore, duke përfshirë Programin e Ndihmës së Ushqimit Suplementar (SNAP) që u shërben më shumë se 40 milionë amerikanëve, programet e vakteve shkollore dhe fondet shtetërore për bankat ushqimore.
Largimet po shihen edhe në zyrat rajonale. /Telegrafi/