Prishtinë, 7 maj 2025
Policia e Kosovës, konkretisht Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë, ka ndërmarrë veprime hetimore lidhur me një incident të raportuar më 30 prill 2025, ku në parkingun e QKUK-së në Prishtinë ishte dyshuar për një shpërthim në një veturë.
Në kuadër të hetimeve dhe bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, më 7 maj 2025 është zhvilluar një operacion policor në një lokacion në komunën e Podujevës, ku është arrestuar një person i dyshuar.
Gjatë zbatimit të urdhëresës janë ndërmarrë veprime procedurale ligjore, përfshirë kontrollin e një lokacioni dhe mbledhjen e dëshmive relevante për hetim.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbardhjen e plotë të rastit, duke garantuar informimin e saktë të publikut dhe ruajtjen e konfidencialitetit të procedurave hetimore./Raporto24