No menu items!

A është hequr “non grata”? Berisha falenderon DASH dhe Trump: Nuk mbështet vendimet e Biden

Gazetari i njohur i Politico, Marc Caputo, shkroi në platformën “X” se Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) e ka njoftuar se se i ka lejuar Sali Berishës të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pavarësisht vendimit të mëparshëm për shpalljen “non grata”.

“Ne në mënyrë rutinore japim përjashtime për të lehtësuar udhëtimin e individëve të caktuar në SHBA në përputhje me detyrimet ndërkombëtare dhe interesat tona kombëtare. Si të tillë, ne nuk do të lejojmë që interesat tona të politikës së jashtme ose marrëdhëniet me Shqipërinë të mbahen peng nga vendimet e politizuara të epokës Biden”. Kjo ka qenë përgjigjia e DASH-it, kundrejt pyetjes së gazetarit në lidhje me Berishën.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar në një deklaratë për mediat, teksa e cilësoi këtë zhvillim si një sinjal të fortë kundër asaj që ai e konsideron përpjekje për të goditur opozitën konservatore përmes vendimeve të politizuara nga administrata e presidentit Joe Biden. Ai falënderoi publikisht DASH-in, sekretarin Marco Rubio dhe ish-presidentin Donald Trump, duke u shprehur se ky është një hap i rëndësishëm kundër vendimeve të ekstremit të majtë.

“Lajm rajonal i Shqipërisë, por dhe në botë, është lajmi në të cilin DASH i SHBA-së i drejtuar nga sekretari i Shtetit, Marco Rubio, shpreh qëndrimin e tij në përgjigjen e dhënë një gazetari të njohur, se ai nuk përkrah dhe nuk mbështet vendimet politike, apo qëndrimet politizuese të administratës së Biden, në këtë rast për Sali Berishën. Në këtë mënyrë DASH jep përgjigjen më të fuqishme atyre përpjekjeve që u bënë për një Shqipëri pa opozitë nga Edi Rama në mendësinë e etërve të tij, Xhorxh Soros dhe Antoni Blinken”, deklaroi Berisha.

Ai shtoi se ky vendim është dëshmi se përpjekjet për të goditur opozitën në Shqipëri nëpërmjet mekanizmave ndërkombëtarë kanë dështuar dhe janë refuzuar nga administrata aktuale amerikane.

“Ky vendim i një rëndësie të madhe, shkëputjes dhe mospranimit të vendimeve politizues, përpjekjeve të administratës së mëparshme që për shkak të lobimit korruptiv të Edi Ramës dhe Sorosit, të ndëshkonin opozitën konservatore, përfunduan njëlloj si ai firmosi, aty ku e kanë vendin. Me këtë rast, unë falënderoj DASH, sekretarin Rubio, administratën e re dhe presidentin Trump për këto qëndrime jashtë zakonisht të rëndësishme, kundër vendimeve të ekstremit të majtë, kundër vendimeve të forcave antidemokratike, të majta në Shqipëri dhe kudo në botë”, tha Berisha.

Ai e quajti këtë zhvillim si një nder për të gjithë demokratët që kanë qëndruar në radhët e opozitës edhe në kushte të vështira politike dhe ligjore.

“Ky vendim është gjithashtu një shpërblim i madh për të gjithë ata demokrate e demokratë që në kushtet më të pazakonta qëndruan për kauzën e drejtë, qëndruan për të vërtetën, e cila vonon, por nuk harron. Ky vendim nxjerr edhe njëherë para shqiptarëve dhe botës, fytyrën e shëmtuar të atyre që morën përsipër një akt të tillë, që vendimet politike të godisnin opozitën konservatore në Shqipëri”, u shpreh ai.

I pyetur drejtpërdrejt nëse është hequr shpallja “non grata”, Berisha u shpreh se ajo ka qenë gjithmonë një vendim politik dhe si i tillë, tashmë është i rrëzuar moralisht e politikisht.

“Non grata është konsideruar vendim politik. Është dënuar, është dënim i atij vendimi. Është tjetër kur shqyrtohet dhe bëhet kjo apo ajo qëndrim, por është shpallur ‘vendime të politizuara të administratës Biden’. Pra është e pashpresë”, përfundoi Berisha

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU

Raporto24
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.