Nga Besnik Kada, ish-reporter i RTVSH-së
Më 11 maj 1998, Bajram Curri ishte një qytet i mbuluar nga zia. Nuk kam parë kurrë një qytet të tërë kaq të goditur nga dhimbja si atë ditë. Në cilësinë e reporterit të RTVSH-së, programi Satelitor – Redaksia e Kosovës, u nisa nga Kukësi drejt Bajram Currit dhe Tropojës për t’u njohur nga afër me situatën tragjike që kishte mbretëruar pas vrasjes së dy heronjve të kombit: Ilir Konushevcit – i njohur si “Mërgimi” – dhe dr. Hazir Males.
Në çdo cep të qytetit ndjeje një trishtim të thellë. Fytyrat e njerëzve ishin të pikëlluara, bisedat zhvilloheshin me zë të ulët dhe gjithçka rrotullohej rreth humbjes së dy burrave të mëdhenj. Në kafene, në Hotel “Shkëlzeni”, në Bashki, në Spital – gjithkund mbretëronte heshtja dhe dhimbja. Vizitova Spitalin e Bajram Currit dhe pashë personelin duke qarë për dr. Hazirin dhe për Ilirin – “Mërgimin”, siç e njihte gjithë Malësia e Gjakovës,shkruan Raporto24
Vrasja e Ilir Konushevcit dhe dr. Hazir Males ishte një tronditje e madhe për gjithë organizimin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata ishin dy figura të rëndësishme të rezistencës dhe sakrificës për lirinë e Kosovës.
Kosova dhe Shqipëria u kanë borxh gjithmonë Ilirit dhe dr. Hazirit.
Pushoni të qetë në tokën e Dardanisë, ju heronj të kombit – dy vëllezër të pandarë të penës, pushkës dhe gjakut tuaj, që u bë dritë për Kosovën!/Raporto24