Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka thënë se nuk ka marrë ftesë nga presidentja Vjosa Osmani për takim konsultativ me të gjitha partitë parlamentare të enjten.
Ai tha se nuk e di pse nuk ka marrë ftesë, mirëpo shtoi se është mirë që po ndodhin këto takime për të zgjidhur krizën politike në Kosovë.
“Në politikë duhet të bisedohet dhe të takohet. Njerëzit që janë përgjegjës dhe drejtojnë parti politike dhe institucione kanë obligim që përtej politikave të mashallave primitive të ulen dhe bisedojnë. Zakonisht bisedohet me ata që ki dallime apo mospajtime për të tentuar me gjetë marrëveshje apo kompromise që i shërbejnë shumicës. Mirë që po ndodhin këto lëvizje, mirëpo ne ende nuk kemi marrë ndonjë ftesë nga presidentja dhe nuk kam përgjigje pse nuk kemi”
Limaj duke hyrë në objektin e Kuvendit për përpjekjen e 15-të të konstitumit të Kuvendit, tha se qëndrimi i tre deputetëve të Nismës nuk do të ndryshojë as në seancën e sotme.
Duke folur për propozimin e LDK-së për qeveri tranzitore, Limaj tha se i njëjti duhet trajtuar dhe propozuesi duhet të konkretizojë këtë nismë.
“Është një propozim që duhet trajtuar. Ai propozim duhet konkretizuar dhe të ftohen. Propozuesi të fillojë iniciativën dhe të bëhet përpjekje për të realizuar atë ide”, përfundoi ai./kp/