Një rast i vdekjes së papritur është raportuar në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, më 14 maj 2025, në Klinikën e Ortopedisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë.
Burime të sigurta të Sinjalit bëjnë të ditur se viktima është Igballe Krasniqi, 50-vjeçare nga fshati Zllakuqan i komunës së Lipjanit. Ajo po qëndronte në klinikë si shoqëruese e një pacienti, kur rreth orës 02:30 u gjet pa shenja jete. Ekipi mjekësor që intervenoi në vendngjarje konstatoi vdekjen e saj.
Dyshimet fillestare janë se vdekja ka ndodhur si pasojë e një infarkti kardiak. Megjithatë, për të sqaruar plotësisht rrethanat, si dhe me kërkesën e familjes, është vendosur që trupi i pajetë të dërgohet për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante të hetimeve, ndërsa është njoftuar Prokurori Kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, i cili ka autorizuar procedurat hetimore për ndriçimin e plotë të rastit.
Rasti është iniciuar dhe mbetet nën hetim, në pritje të rezultateve të obduksionit që do të përcaktojnë shkakun e saktë të vdekjes./Raporto24