Liridon Masurica u ekstradua më 9 maj nga autoritetet kosovare, pas një akuze për komplot për të kryer mashtrime me pajisjet e aksesit.
33-vjeçari Masurica u mor në paraburgim na autoritetet në Kosovë, më 12 dhjetor, për t’u ekstraduar më pas në SHBA, aty edhe ku do të përballet me Gjykatën e Floridës, shkruan IndeksOnline.
Lidhur me ekstradimin e tij, Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka përshëndetur bashkëpunimin e lartë dhe efektiv të organeve.
“Bashkëpunim dhe koordinim i shkëlqyer midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, sipas Traktatit tonë të Ekstradimit.
Një i pandehur është ekstraduar me sukses në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me drejtësinë me akuzat për viktimizimin e qytetarëve amerikanë.
Jemi mirënjohës ndaj autoriteteve të Kosovës për mbështetjen e tyre të vazhdueshme. Kjo përpjekje e përbashkët përmirëson sigurinë publike dhe i bën të dy kombet tona më të sigurta”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Zyra e prokurorit të shtetit, në distriktin e Floridës, dha dje detaje mbi padinë e ngritur ndaj Masuricës.
Sipas padisë, Masurica ishte administratori kryesor i BlackDB.cc—një treg kriminal online në veprim nga viti 2018 deri më sot. BlackDB.cc ofroi në mënyrë të paligjshme për shitje kredencialet e llogarisë dhe serverit të kompromentuar, informacionin e kartës së kreditit dhe informacione të tjera personale të identifikueshme të individëve të vendosur kryesisht në Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë ata që ndodhen brenda qarkut të mesëm të Floridës.
Pasi bliheshin, kriminelët kibernetikë përdornin artikujt e blerë në BlackDB.cc për të lehtësuar një gamë të gjerë aktivitetesh të paligjshme, përfshirë mashtrimin tatimor, mashtrimin me kartat e kreditit dhe vjedhjen e identitetit./Raporto24/