Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, qëndroi sot në Poznan të Polonisë, ku me ftesë të organizatorëve mori pjesë në konferencën IMPACT 2025, që këtë vit shënon edicionin e 10-të.
Dje në mbrëmje, ishte në darkën e shtruar nga ministri i Punëve të Jashtme të Polonisë, Radosław Sikorski dhe drejtori i konferencës, Sławomir Sierakowski, ku pati rastin të bashkëbisedoj me ministrin polak Sirkoski, zj. Anne Applebaum, si dhe ish Sekretarin e Shtetit amerikan, John Kerry. Kryeministri gjithashtu takoi nobelisten polake Olga Tokarczych, me të cilën bisedoi për politikën, kulturën dhe letërsinë. Kryeministri e njoftoi zj. Tokarczych për përkthimin e shume veprave të saj në shqip. Gjatë darkës, kryeministri bisedoi edhe me historianin Timothy Snyder, dhe me mendimtarin dhe ish të burgosurin politik polak Adam Michnik, të cilin e kishte takuar në Gazetën Wyborcza, në Varshavë në tetor 2024.
Kurse sot gjatë paradites, mori pjesë në hapjen e konferencës që nisi me adresimin e ministrit polak, Sikorski. Në kuadër të konferencës, kryeministri realizoi një intervistë për shërbimin në gjuhën angleze të televizionit publik polak TVP world.
Gjatë qëndrimit në Poznan, kryeministri gjithashtu takoi ish-konsullin e nderit të Shqipërisë atje, historianin, etnologun dhe albanologun, Jaroslaw Rosochacki, që interesimin e tij për çështjen shqiptare dhe të Kosovës e filloi në vitet e 70-ta. Vizitën e parë në Kosovë z. Rosochacki e realizoi në vitin 1978, ndërkaq herën e fundit në Kosovë ishte në vitin 2022. Kryeministri e falënderoi për veprën dhe kontributin e tij kushtuar vendit tonë.
Kryeministri Kurti kthehet në Kosovë sot gjatë ditës për të mirëpritur në ndërtesën e qeverisë, Presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, i cili viziton Republikën e Kosovës.