Punëtorët e Ndërmarrjes “Pastrimi” protëstuan para komunës së Prishtinës duke shprehur pakënaqësinë me mospagesat nga ana e komunës së Prishtinës ndaj kësaj ndërmarrjeje, raporton Ekonomia Online.
“Paguaje borxhin o borxhli i keq”, “Mos bëj politikë me dështimin tënd”, “Na lë të punojmë”, ishin disa nga pankartat që punëtorët mbanin në duar.
Punëtori Ilaz Rexhepi u shpreh i revoltuar, duke thënë se ata kanë punuar pa pushim për ta mbajtur kryeqytetin të pastër, por nuk janë shpërblyer për punën e tyre.
“Deri sot kush e mbajti kryeqytetin. Shikoni lagjet. Po ai hajn tyë bëjë hajgare me ne. Ne punojmë 24 orë në ditë. Nuk kemi qenë të shpërblyer me asgjë. Jemi në gjendje me kall. Jo me luajt me fëmijët tanë”, tha Rexhepi.
Ndërsa, punëtori tjetër, Adnan Sinani kërkoi që politika të mos përzihet në punën e tyre.
“Leni politikën. Nuk po më intereson se ku e kanë inatin, tek drejtori apo tek dikush tjetër . Ne si kemi punuar jemi duke punuar ende dhe do të punojmë. Le ta ndërpresin këtë politikë të fëlliqur”, tha ai.