Avokati nga Drenasi, Gazmend Halilaj aderon në partinë Guxo. Lajmin e ka bërë të ditur bashkëkryetarja e kësaj partie, Donika Gërvalla
Postimi i plotë i Gërvallës:
Dera jonë, në Partinë Guxo, është gjithmonë e hapur për profesionistë, idealistë, patriotë, për njerëz t’mirë t’këtij vendi, prandaj jemi të lumtur që avokati i njohur nga Drenasi, Gazmend Halilaj, po na bashkangjitet në rrugën tonë për një Kosovë çdo herë më të mirë e më të përparuar.
Në përpjekje të përhershme për liri e pavarësi, si i ri Gazmend Halilaj iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe çlirimi i vendit e gjeti në uniformën e saj. Për 11 vjet, pastaj, ai mbajti me nder edhe uniformën e Policisë së Kosovës. Pas punës së ndershme, avancimit profesional e pas rezultateve të shkëlqyeshme në detyrën si zyrtar policor, por paralelisht edhe shkollimit superior e avancimit akademik në jurisprudencë, nga viti 2015, Gazmendi ka kaluar të punojë si avokat në sistemin e drejtësisë, aty ku vazhdon përpjekjet e tij të përhershme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut e për drejtësi.
I shquar për integritetin e vendosmërinë, guximtar dhe idealist në bindje e qëndrime, avokati Halilaj i bashkohet Partisë Guxo në betejën e përjetshme për një Kosovë të lirë, sovrane, të zhvilluar, demokratike dhe një shtet ku triumfon, sundon e mbizotëron e drejta.
Zëri i guximtarit Halilaj i nevojitet drejtësisë, e drejtësia i nevojitet Kosovës.
Mirë se vjen Gazmend!