Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, ka kërkuar që Shtetet e Bashkuara të ndërmarrin “veprime të forta” kundër Rusisë, nëse Moska nuk pranon armëpushim në Ukrainë.
“Amerika ka thënë se, nëse Rusia nuk pranon një armëpushim të pakushtëzuar, atëherë do të ketë pasoja. Prandaj ne duam të shohim ato pasoja, edhe nga ana e SHBA-së,” ka deklaruar Kallas në një takim të ministrave të BE-së në Bruksel.
Ndërkohë, edhe kancelari gjerman, Friedrich Merz, pas një bisede të veçantë mes Trump-it dhe liderëve evropianë të hënën, është shprehur se BE-ja do të “rrisë presionin” ndaj Moskës përmes sanksioneve të reja.
Kujtojmë se biseda telefonike midis krerëve të shteteve të SHBA-së dhe Rusisë, Donald Trump dhe Vladimir Putin nuk solli rezultate, e megjithatë Donlad Trump e cilësoi më pas si sukses.
“Është gjakderdhje. Dhe unë besoj se ai dëshiron t’i japë fund,” tha Trump, duke iu referuar homologut të tij Vladimir Putin. Lidhur me përpjekjet për t’i dhënë fund luftës, Trump tha në Shtëpinë e Bardhë: “Mendoj se kemi një shans të mirë për ta bërë këtë. Mendoj se Putini e dëshiron këtë.” Trump tha se ai nuk do të kërkonte një zgjidhje paqeje nëse nuk do ishte i bindur për të.