Një grabitje e rëndë ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit në pikën e IPKO-s në Sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë, ku tre persona të maskuar dhe të veshur me të zeza kanë marrë peng rojen e sigurimit dhe kanë grabitur një kasafortë që përmbante para të gatshme dhe pajisje elektronike.
Sipas burimeve të Gazetës Sinjali, të cilat janë në dijeni të deklaratës së rojes Milaim Krasniqi dhënë në Polici, ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00, kur ai ndodhej jashtë objektit duke pirë cigare. Në atë moment, tre persona të pajisur me jelekë reflektues e kanë kapur për qafe dhe e kanë tërhequr zvarrë në brendësi të lokalit.
“Më kapën nga pas për qafe dhe më tërhoqën zvarrë në brendësi të lokalit. Më mbajtën me kokën poshtë gjatë gjithë kohës, nuk më lejuan të shoh asgjë,” ka deklaruar ai.
Grabitësit më pas kanë depërtuar në zyrat e brendshme, ku kanë marrë kasafortën që dyshohet të ketë përmbajtur një shumë të konsiderueshme parash, telefona të rinj dhe mbushje elektronike. Ajo është transportuar përmes një karroce të vogël dhe autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes me shpejtësi, në një drejtim ende të paidentifikuar.
Pas largimit të grabitësve, roja ka lajmëruar menjëherë shefin dhe më pas Policinë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore, përfshirë Forenzikën dhe hetuesit, ndërsa rasti është iniciuar si “Grabitje” me autorizim të Prokurorisë.
Ndërkohë, Policia ka identifikuar një veturë të dyshimtë të përdorur gjatë ikjes dhe janë duke u zhvilluar hetime për identifikimin dhe arrestimin e autorëve. Burimet tregojnë gjithashtu se rasti pritet të kalojë në kompetencë të Njësitit për Krime të Rënda, për analizimin e pamjeve të siguruara dhe krahasimin me grabitje të ngjashme në të kaluarën/Raporto24